Zbardhet biseda e videoskandalit: Tolero pak, jo me shkaktu penallti!
Pëlqej
Gjatë javës së kaluar ka dështuar një tenativë për të korruptuar futbollistët e Partizanit për të toleruar në ndeshjen ndaj Kukësit.

Një video-skandal tregon se si një menaxher futbollistësh, i cili është i afërt me klubin e Kukësit, është munduar të joshë një futbollist të klubit të kuq, për të toleruar në ndeshjen direkte, atë që përfundoi 1-1 në “Selman Stërmasi”.

Ai ka telefonuar mesfushorin Emiliano Vila, duke i ofruar para në këmbim të tolerimit në fushën e lojës. Personi që dëgjohet duke folur me lojtarin dyshohet se është Drini Çaushi, i cili njihet për raportin e afërt me klubin verior, duke pasur bashkëpunim edhe në aspektin e menaxhimit, pasi aty ka çuar futbollistë si: Albi Alla, Simon Rrumbullaku dhe Elton Kale.

Në video-skandalin, dëgjohet se si futbollistët e Partizanit e kanë regjistruar telefonatën, për të dekonspiruar këtë tentativë. Ai i kërkon Vilës në mënyrë direkte që të jetë tolerues në fushë, pikërisht në ndeshjen e rëndësishme për titullin kampion, raporton Albeu.

Madje, i ofron edhe para, duke përmendur emrin e drejtorit të Kukësit, “Naimi” dhe presidentit të klubit verior “Safeti”. Ndër të tjera, ai mundohet ta bindë lojtarin edhe me faktin që sezonin e ardhshëm do e largojë nga klubi kryeqytetas, për t’i dhënë mundësinë që të luajë në Greqi me Korfuzin.

JA NJË PJESË E BISEDËS:

Menaxheri: O vllai, ti e di që unë të du fort. Ti nuk je më aty vitin tjetër. Do të marr unë këtu. Do lush me Korfuzin. Unë për ty e kam.

Vila: Ëhë…

Menaxheri: Kur ishim atë ditë në kafe, aty afër ishte edhe Naimi. Drejtori i Kukësit. Edhe ai foli me Safetin edhe ai tha sa të duan. A kupto. Me toleru pak. Jo me bo penallti, por kur të jetë topin në anësore, me e nxjerr jashtë. Me toleru pak. A kupto? Safeti është i fiksuar për ta marrë titullin sivjet. E do patjetër.

Vila: Hajt se flasim.

Menaxheri: Ti menoje ihere me qetsi dhe pastaj më thuj… Mos më jep përgjigje tani!

Vila: Ok, ok…

Menaxheri: Sepse vllai ti deri në fund të sezonit do të jesh aty, a kupto… se pastaj do ikësh…

Vila: Eee, po pra. Mirë hajt.

Menaxheri: Ki parasysh, se nuk dua të… thjesht tolerim, a kupto… nxirre topin jashtë e kshu gjojnash, e di vetë ti.

Vila: Hëm… ashtu ëëë…

Menaxheri: Nejse, menoje vetë edhe më thuj. Kur ta ndash mendjen më ço një mesazh. Domethënë kur të jesh vetëm, më ço një mesazh… kaq. Mirë?

Vila: Eeee… hajt se flasim. Hajt, hajt se flasim.
Shtuar më 11/05/2017, ora 10:32
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori