Zbulohet protokolli i Ligës Italiane
Liga Italiane do të duhet ta bindë Ministrinë e Sporteve, ndërkohë që Komiteti Olimpik Italian (CONI) dhe Federata Italiane e Futbollit do të jenë arbitri, ndonëse anojnë nga Liga, për të nisur dhe për të dërguar deri në fund sezonin e ndërprerë.

Fatura ekonomike e humbjeve prej 720-730 milionë eurosh nuk mbyllet dot as nga qeveria, por kjo temë, ashtu sikurse ajo e licencimeve të klubeve, zgjatjes së skadencës së kontratave dhe të tjera tema pikante, do t’u jepet një përgjigje konkrete të premten e 8 majit, duke rikujtuar se në rast rifillimi, programi i detajuar duhet të paraqitet më 25 maj në UEFA, 48 orë përpara mbledhjes zyrtare të qeverisë së futbollit europian.

PLANI I SERISË A – Ndërkohë, £Corriere dello Sport£ ka zbuluar planin që Liga e Serisë A do t’i paraqesë Ministrisë së Shëndetësisë për stilimin e kalendarëve dhe rinisjen e kampionatit. Dy datat preferenciale të klubeve për të luajtur në fushë janë 13 ose 20 qershori ose një datë e tretë është 27 qershori, me ndeshjet që do të zhvilloheshin çdo 72 orë.

Një tur force i vërtetë ky, në mënyrë që gjithçka të mbyllet brenda datës 2 gusht dhe t’u lejojë klubeve që janë pjesë e tyre të përfundojnë edhe aventurën europiane. Madje, Liga është gati që sivjet të anulojë edhe Kupën e Italisë, e cila ka parë të zhvillohen edhe gjysmëfinalet e vajtjes, Inter-Napoli 0- 1 dhe Milan-Juventus 1-1 dhe të mos e japë këtë trofe, duke parë ngjeshjen e kalendarit.
Shtuar më 05/05/2020, ora 12:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori