Zbuloni rrugën se si u zgjodh trajneri i ri i kombëtares
Kristian Panuçi pritet të zyrtarizohet të enjten si trajner i ri i Shqipërisë. Akordi me ish-mbrojtësin e njohur të Italisë është arritur prej ditësh, por FSHF dhe më konkretisht kreu i saj, Armand Duka, kanë hezituar të publikojnë lajmin, pasi më parë duhet të mbyllin disa detaje të kontratës.

Duka ka preferuar Panuçin dhe jo Luixhi De Kanion, i cili gjithashtu ishte një kandidat potencial për pankinën kuqezi. Pritet që nesër 44-vjeçari i lindur në Savona të Italisë të udhëtojë drejt Tiranës dhe të enjten të bëjë prezantimin zyrtar nga ambientet e FSHF-së. Panuçi ka thuajse një vit që nuk drejton ekip. Për herë të fundit ka qenë në krye të Ternanës në Serinë B.

PRAPASKENA

Sipas Panorama Sport, Legjenda e trajningut italian, Fabio Kapelo, mësohet se ka luajtur një rol vendimtar për sponsorizimin e Kristian Panuçit në stolin e Kombëtares shqiptare. Gazeta zbulon ekskluzivisht nga burime pranë drejtuesve të FSHF-së se trajneri i shquar italian ka telefonuar pak javë më parë presidentin Armand Duka. Pasi kishte mësuar se ky i fundit ishte vënë në lëvizje për të gjetur një italian si pasardhës të Xhani De Biazit, menjëherë Kapelo ka ndërhyrë.

71-vjeçari, i cili njihet ndryshe edhe si Don Fabio, ka kërkuar të telefonojë personalisht Dukën, për ta bindur që të zgjidhte Panuçin, të cilin e ka pasur ish-asistent të tij te Kombëtarja e Rusisë në vitet 2012-2014.

“Mësova që po kërkoni trajner, ju sugjeroj Panuçin. Nuk do t’ju zhgënjejë”, – mësohet t’i ketë thënë Kapelo kreut të FSHF-së. Pas një bisede miqësore, Duka ka bërë hap konkret, duke dëgjuar këshillën e Kapelos. Presidenti ka lënë një takim me Panuçin në Romë dhe për afro tre orë ka dëgjuar këtë të fundit për kërkesat që ka në rast se Duka i ofron pankinën kuqezi.

Ish-mbrojtësi i Milanit, Realit, Interit dhe Romës ka qenë në shumë pika dakord me Dukën. Ndërkohë, presidenti i FSHF-së ka qenë shumë i dyzuar, pasi në këtë periudhë i kanë rekomanduar disa emra teknikësh italianë. Madje, kandidati më i fuqishëm fillimisht është parë ish-trajneri i Udinezes dhe Napolit, De Kanio, pwrcjell Panorama Sport.

Për 59-vjeçarin, që ka drejtuar edhe ekipin anglez, QPR, kanë lobuar fort te Duka njerëz pranë Federatës Italiane të Futbollit. Gjithsesi, në fund, numri një i futbollit shqiptar mes eksperiencës së De Kanios dhe ambicies së një trajneri relativisht të ri si Panuçi, ka zgjedhur këtë të fundit për stolin e Shqipërisë. Tashmë mbetet vetëm zyrtarizimi i marrëveshjes nga FSHF. /albeu.com/
Shtuar më 18/07/2017, ora 09:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori