Zbuloni shifrën totale të shpenzuar për të blerë shqiptarët
Pëlqej
Shqiptarët protagonistë në merkaton e verës. Lojtarët e Kombëtares kanë zënë një hapësirë të veçantë dhe shumë të rëndësishme në dritaren e transferimeve duke qarkulluar afro 11 milionë euro. Një nga shifrat më të larta që kanë arritur ndonjëherë në një merkato futbollistët e Kombëtares shqiptare.

Më shumë sesa 10 lojtarë shqiptarë arritën të ndryshonin destinacionet e tyre, për të pasur sa më shumë minuta dhe për të qenë protagonistë. Disa prej tyre preferuan të ndryshonin skuadër edhe thjesht në formën e huazimit për të pasur vazhdimësi në aktivizim dhe për të ruajtur formën e tyre.

11 MILIONË EURO

Por, ky nuk është rasti i Etrit Berishës, Sokol Cikalleshit, Armando Sadikut, Ledian Memushajt, Grezdës dhe Kukelit. Ata nuk janë huazuar, por skuadrat ku luajnë aktualisht kanë vendosur të shpenzojnë shifra të çmendura për t’i afruar.

Të gjithë bashkë kapin shifrën e 11.3 milionë eurove dhe i pari në listë është portieri Etrit Berisha. Gardiani kuqezi, që ishte i huazuar një vit më parë, kaloi në mënyrë përfundimtare në pronësi të Atalantës për një shumë 5 milionë euro.

Shifër të majme pagoi edhe Osmanlispor në drejtim të Bashakshehirit për kartonin e Sokol Cikalleshit. Sulmuesi, që për shkak të këtij transferimi humbi grumbullimin në Kombëtare, kushtoi 2 milionë euro. Armando Sadiku gjithashtu u bë një nga blerjet më të rëndësishme në historinë e skuadrës së Legias së Varshavës. Polakët paguan 1.5 milionë euro për ta transferuar sulmuesin kuqezi nga Lugano.

Liridon Latifi (nga Skënderbeu te Pushkash Akademia) dhe Ledian Memushaj (nga Peskara te Benevento) kushtuan nga 1 milion euro secili, ndërsa Grezda 500 mijë euro (nga Lokomotiva Zagreb tek Osijeku) dhe Kukeli (nga Zyrihu te Sioni) 300 mijë euro.

HUAZIMET

Mbrojtësit Arlind Ajeti dhe Berat Gjimshiti nuk po gjenin hapësirë në ekipet e tyre respektive (Torino dhe Atalanta), prandaj u huazuan te Krotone dhe Benevento. E njëjta situatë edhe me Azdren Llullakun, i cili nga Astana kaloi te Toboli në të njëjtin kampionat (kazak), por edhe me Rei Manajn. Sulmuesi, që është në pronësi të Interit, u transferua ditën e djeshme te Granada në Spanjë, raporton Panorama.

Ka edhe nga ata që u larguan nga ekipet e tyre për shkak se u përfundoi kontrata. Lenjani dhe Çani nisën aventura të reja në këtë merkato, njëri iu bashkua Kukelit dhe Tramexanit te Sioni, ndërsa tjetri preferoi Partizanin si një alternativë për të rigjetur formën dhe për t’u rikthyer në Kombëtare.
Shtuar më 02/09/2017, ora 11:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori