ZYRTARE/ Gjici shkarkon Ernest Gjokën
Ashtu siç ishte paralajmëruar, Ernest Gjoka nuk është më trajneri i Kukësit. Klubi verilindor ka njoftuar përmes lajmërimi në kanalin zyrtar se tekniku kryeqytetas është shkarkuar nga posti i trajnerit. Kuksianët bëjnë me dije që 49-vjeçari iu dha i gjithë suporti i nevojshëm, mirëpo nuk arriti të plotësonte objektivin e vendosur nga klubi. Në njoftimin për mediet bëhej me dije:

“Njoftim i Klubit!

Trajneri Ernest Gjoka nuk do të jetë më në krye të skuadrës së Kukësit.

Vendimi është marrë pas rezultateve zhgënjyese të ndeshjeve kualifikuese të Europa League.

Klubi ynë trajnerit Gjoka i ka dhënë gjithë mbështetjen e mundshme, sidomos pas rikthimit të tij në krye të pankinës së skuadrës nënkampione të Shqipërisë.

FK Kukësi falenderon trajnerin Gjoka për punën e bërë në krye të ekipit.

Shumë shpejt, klubi do të njoftojë për emrin e trajnerit të ri, i cili objektiv kryesor do të ketë fitimin e titullit Kampion, Kupës së Shqipërisë si dhe përfaqësim sa më dinjitoz në Kupat e Europës!!”

Kjo është hera e dytë që Kukësi shkarkon Ernest Gjokën për mungesë rezultatesh. Kujtojmë që trajneri kryeqytetas u emërua në krye të skuadrës verilindore në fund të muajit prill. Arriti të fitonte KUpën e Shqipërisë duke mposhtur në finale Tiranën 2-1, ndërsa në Europë s’bëri mirë. Në Hungari u mposht nga Debreceni 3-0, ndërsa dje barazoi 1-1 në Elbasan Arena duke u eliminuar nga Europa League.
Shtuar më 19/07/2019, ora 10:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori