Edhe Melania del kundër Trump në "sherrin" me LeBron
Pëlqej
Zonja e Parë e Amerikës, Melania Trump ka dalë në mbështetje të yllit të basketbollit amerikan, LeBron James, vetëm pak orë pasi bashkëshorti i saj, presidenti Donald Trump shkroi në “Twitter” disa fjalë ofensuese ndaj tij.

James kishte thënë gjatë një interviste se, Trump po tregohej përçarës dhe po nxiste racizmin. Në kundërpërgjigje të tij, Trump hodhi dyshime mbi “zgjuarsinë” e James, teksa tha se deklarata e tij nuk e bënte yllin e NBA-së të dukej “i zgjuar”.

Gjithsesi, zëdhënësja e Trumpit deklaroi se James “ka punuar për gjëra të mira”, kur përmendi hapjen e një shkolle në vendlindjen e tij, Ohio. Ajo tha se Trump dëshironte “të kishte një dialog të hapur mbi problemet me të cilat përballen fëmijët”.

Më herët gjatë javës, James ishte shprehur gjatë një interviste me Don Lemonin e CNN-it se, sporti i kishte ofruar atij mundësinë të takonte njerëz të formimeve dhe racave të ndryshme.

“Sporti nuk ka qenë kurrë diçka që përçan njerëzit, përkundrazi, gjithmonë ka qenë diçka e mirë që i bashkon njerëzit”, tha “The King”.

“Ai (Trump) po na përçan dhe ajo që kam vërejtur gjatë muajve të fundit është se, ai po shfrytëzon sportin për të na përçarë, edhe pse nuk arrij ta kuptoj lidhjen mes këtyre, sepse unë di që për shkak të sportit jam rrethuar për herë të parë edhe me njerëz të bardhë”, shtoi më tej James.

Ai argumentoi gjithashtu se veprimet e Trumpit po inkurajonin racistët, kur tha se “mendoj se racizmi ka qenë dhe është gjithnjë i pranishëm. Por, mendoj se presidenti në detyrë po inkurajon njerëzit që ta shfaqin hapur në fytyrë atë”.

Të shtunën, presidenti i SHBA iu përgjigj përmes “Twitter”-it, duke shkruar se “LeBron James ishte intervistuar nga njeriu më i trashë i televizionit, Don Lemon. Ai u përpoq ta tregonte LeBronin si një njeri të zgjuar, por kjo nuk është edhe aq e lehtë”.

Në fund, Trump tregoi se preferonte më shumë legjendën e NBA-së, Michael Jordan, sesa yllin e ri të Los Angeles Lakers. Me këtë deklaratë, ai u fut në debatin prej një kohe të gjatë se, cili mes Jordanit dhe Jamesit është basketbollisti më i mirë i të gjitha kohërave.

Gjithsesi, vet Jordan shprehu mbështetjen e tij për James. Ai iu tha medieve përmes zëdhënësit të tij se, “mbështet LeBronin, pasi po bën një punë të jashtëzakonshme për komunitetin e tij” raporton TCH.

Reagimi i Melanias, që bie ndesh me qëndrimin e presidentit Trump, nuk është i pari brenda familjes presidenciale të Amerikës, pasi edhe e bija e Trumpit, Ivanka doli kundër të atit kur tha se media nuk ishte armiku i popullit amerikan, siç e ka cilësuar shpesh kreu i Shtëpisë së Bardhë, gjatë sulmeve të parreshtura ndaj medies dhe lajmeve të rreme që përcjellin ato.

Shtuar më 05/08/2018, ora 16:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori