Ferrari rigjen buzëqeshjen, Vettel “pole position” në Singapor
Pëlqej
Në pistën e Marina Bay, piloti Sebastian Vettel me Ferrari siguroi sot pasdite “pole position”, të vlefshëm për garën e Çmimit të Madh të Singaporit në Formula 1, që zhvillohet nesër (starti, ora 14:00). Një paraqitje e mirë e pilotit gjerman të “kokëkuqes”, që dha kohën 1’39”491, duke e nisur nesër garën nga vija e parë e startit, një sinjal pozitiv pas zhgënjimit dy javë më parë, në Monza. Në vendin e dytë u klasifikua pilot ii Red Bull, Max Verstappen, që pat dominuar dy sesionet e para, por në sfidën finale për “pole” u dorëzua përballë Vettel. Ky është “pole position” nr.2 sezonal për Vettel, që shihet si favorit për të fituar nesër garën e Singaporit.

Vija e dytë e nisjes do të jetë një tjetër kombinim mes Red Bull dhe Ferarri, me pilotin australian Daniel Ricciardo që u klasifikua në vendin e tretë, duke lënë pas Kimi Raikkonen (i katërti) me makinën “kokëkuqe”. Ashtu sikurse pritej, makina kampione e botës e Mercedes ishte në vështirësi në pistën e Marina bay, duke u klasifikuar në vendet 5-6 me pilotët e saj, Lewis Hamilton para Valtteri Bottas, që nesër do të bëjnë një garë në sulm, për të mos humbur shumë pikë, raporton TeleSport.

“Top-10” kompletohet me Hulkenberg (Renault), Alonso e Vandoorne (McLaren) dhe Sainz (Toro Rosso). Gara nesër, ashtu sikurse edhe sot provat, do të zhvillohen me drita, e veçanta e kësaj piste.

Në përfundim të sesionit të parë të provave zyrtare u eliminuan Ericsson (Sauber), Wehrlein (Sauber), Stroll (Williams), Massa (Williams) dhe Magnussen (Haas), ndërkohë që kohën më të shpejtë e dha makina Red Bull e Max Verstappen. Ndërsa në përfundim të sesionit të dytë, u eliminuan nga gara për “pole” pilotët Palmer (Renault), Perez (Force India), Kvyat (Toro Rosso), Ocon (Force India) dhe Grosjean (Haas), ndërkohë që holandezi Verstappen ishte sërish më i shpejti në pistë. Gjithsesi, gara e nesërme pritet të jetë spektakolare, duke parë renditjet e sotme, me pilotët që kanë nisur betejën finale për titullin kampion.
Shtuar më 16/09/2017, ora 16:19
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori