Ilir Daja shpreson tek neglizhimi i Dinamos, për të arritur një rezultat pozitiv
Pëlqej
Ilir Daja hidhet në sulm. Ndaj DinamosKievit do të zbresë në fushë një Skënderbe shumë ofensiv për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit në Europa League. Trajneri i korçarëve konfirmoi në konferencën për shtyp se bardhekuqtë do të luajnë vetëm për fitore ndaj gjigandëve ukrainas, edhe pse shtoi gjithashtu se skuadra e tij duhet të tregohet shumë e kujdesshme në prapavijë.

“ Do luajmë gjithçka për gjithçka sepse janë dy ndeshjet e fundit dhe çdo rezultat tjetër përveç fitores nuk na shërben. Por duhet të tregohemi të kujdesshëm sepse do të kemi përballë skuadrën që kryeson grupin, dhe që ka fituar dy transfertat që ka luajtur në Bernë dhe Beograd ndaj Young Boys dhe Partizanit. Do të luajmë për fitore, por do të jemi të balancuar në fushë. Duhet të bëjmë një paraqitje si ajo e pjesës së parë ndaj DinamosKievit në Ukrainë. Do të sulmojmë por në të njëjtën kohë do të jemi të kujdesshëm edhe në mbrojtje sepse nëse pësojmë gol të parët më pas do të jetë shumë e vështirë përmbysja e rezultatit”.

Sipas Dajës, paraqitjet e Skënderbeut në Grupin B të Europa League janë për të vlerësuar pasi me nivelin e treguar korçarët kanë përfaqësuar denjësisht futbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare.

“ Për të shpresuar deri në ndeshjen e fundit ndaj Young Boys që do ta luajmë në Zvicër te kualifikimi, duhet të sulmojmë me disa futbollistë zonën kundërshtare, të jemi agresivë përpara portës por edhe të kemi shumë balançë në mesfushë dhe mbrojtje. Pozitiv për atë çfarë kemi realizuar deri tani është se me të treja e ekipet e grupit kemi luajtur si të barabartë, nuk kemi qëndruar në mbrojtje por kemi bërë lojën tonë, mendoj se ky është një hap përpara dhe tregon rritjen e futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare, falë Skënderbeut”.

Daja shpjegoi edhe arsyen se përse Skënderbeu e zhvilloi në kompleksin Tropikal dhe jo në Elbasan Arena stërvitjen e fundit përpara ndeshjes ndaj DinamosKievit.

“ Për të qenë i sinqertë kjo ka qenë një kërkesë e futbollistëve dhe ne këtë kërkesë të lojtarëve, e kemi pranuar pasi i ndihmon ata në aspektin psikologjik. Kushtet në kompleksin Tropikal janë shumë të mira, plus që ne tani jemi përshtatur me stadiumin Elbasan Arena pasi kemi luajtur disa ndeshje aty”.

Fakti që ukrainasit kanë siguruar kualifikimin ka anë pozitive por edhe negative sipas trajnerit të korçarëve

“Fakti që Dinamo e Kievit ka siguruar kualifikimin mund të ndikojë edhe pozitivisht por edhe negativisht tek ne pasi ata janë të qetë dhe mund të luajnë më lirshëm por në të njëjtën kohë mund ta kenë mendjen edhe te ndeshja e radhës”.

Daja konfirmoi praninë e Sabien Lilajt në 11-shen titullare, ndërsa shtoi se mungesa e tifozëve do të ndikojë në lojën e skuadrës së tij.

“Sabien Lilaj do ta nisë nga fillimi sfidën. Jashaniça do të qëndrojë në pankinë pasi ka pak ditë që stërvitet me grupin. Përveç Nespor e gjithë pjesa tjetër e skuadrës është e gatsshme. Futbolli luhet për tifozët. Krijohet një tjetër atmosferë kur ke mbështetjen e tyre. Do ta ndiejmë ndaj Dinamos mungesën e tifozëve, por kjo nuk varet nga ne, tifozët do të jenë një mungesë e rëndësishme”. /Albeu.com/
Shtuar më 23/11/2017, ora 08:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori