Kampioni pa nënshtetësi shqiptare
Boksieri nga Gostivari që garon për Shqipërinë, Nuri Seferi rimori titullin Kampion Europe në kategorinë WBO pasi mundi me pikë hungarezin Tamas Lodin. Edhe pse pas çdo titulli të fituar prej tij ngrihet flamuri kuqezi dhe këndohet himni shqiptar, 37-vjeçari ende nuk ka marrë përgjigje pozitive nga institucionet tona për t’u pajisur me nënshtetësinë shqiptare.

"Të jem i sinqertë kam bërë kërkesa, por fatkeqësisht kanë hasur në vesh të shurdhër dhe tani kam arritur të identifikohem si shtetas shqiptar në arenën ndërkombëtare, edhe pse nuk zotëroj pasaportën, edhe pse nuk më prish punë fare. Unë e bëj punën time, kam misionin tim, të ngre vlerat e kombit shqiptar, shtetit shqiptar", shprehet Seferi.

Nuri Seferi ka në karrierën e tij 36 fitore, 20 prej të cilave me nokaut. Shqiptari pa nënshtetësi shqiptare njihet në ringjet botërore me nofkën "Albanian Tyson", ose ndryshe "Tysoni shqiptar".

"Këtë nofkë e kam marrë nga tifozët. Në fillim nuk më ka pëlqyer, por është e vërtetë që e majta është arma ime kryesore dhe ndoshta dyluftimi ka ngjashmëri", shton Nuri Seferi.

"Jemi ne që kemi nevojë për Nuriun, jo Nuriu për ne. Dëshira jonë e vetme do të ishte që të paktën ta kishim dhe këtu gjithë shqiptaria të festonte në Tiranë një fitore të tij", thotë Gentian Rrugia, përfaqësues i Tifozave Kuqezi. /albeu.com/
Shtuar më 01/06/2014, ora 09:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori