Majlinda Kelmendi lëshon ultimatum
Mungesa e trajtimit dhe pagesave sipas ligjit për sportistët elitarë, duket se është një problem jo vetëm i Shqipërisë por dhe i shtetit të Kosovës. Xhudistja Majlinda Kelmendi, i ka bërë një ultimatum qeverisë kosovare duke kërkuar që brenda 10 ditëve të plotësohen kërkesat e saj sic parashikon edhe ligji për sportin, në rast të kundërt sportistja, e cila në olimpiadë përfaqësoi ngjyrat e Shqipërisë do të zgjedhë të garojë për një shtet tjetër, aq më tepër që ofertat për të nuk mungojnë.

Sportistja pejane shkëlqeu në Grand Prix të Dyseldorfit pak ditë më parë, ku mori medaljen e artë në këtë aktivitet deri në peshën 52 kilogram. Suksesi i Majlindës bëri jehonë dhe në shtypin ndërkombëtar, ku u pasqyrua dhe në kanalin prestigjoz Euronews.

Gjithsesi pavarsisht sukseseve të saj të njëpasnjëshme, sportistja ndihet e lënë në harresë nga shteti kosovar, i cili ende nuk ka akorduar ende asnjë shpërblim për rezultatet e saj, pavarsisht se i takojnë me ligj. Sipas asaj që mësohet në shtypin kosovar, dhe që është bërë e ditur nga xhudistja 21 vjecare janë tre shtetet që e kërkojnë me ngulm dhe që janë gati ta paguajnë rregullisht pejanen, për t’i përfaqësuar në arenën ndërkombëtare.

Shteti kosovar deri tani, e sidomos ministria e sporteve, e ka kthyer Kelmendin në një simbol të sportit në vend, duke shfrytëzuar dhe imazhin e saj, por tashmë mbyll sytë dhe veshët kur bëhet fjalë për të respektuar detyrimet ndaj kësaj sportisteje elitare. /albeu.com/
Shtuar më 25/02/2013, ora 16:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori