Majlinda Kelmendi në krye të klasifikimit botëror
Majlinda Kelmendi është xhudistja më e mirë në botë në kategorinë deri 52 kilogramë. Ajo mund të llogaritet më e mira, nëse për bazë merret ranglista botërore që nxirret në bazë të rezultateve të arritura nëpër turne të ndryshme. 21-vjeçarja nga Peja prej ditës së djeshme është e para në ranglistën e kategorisë deri në 52 kilogramë. Kelmendi ka 1480 pikë dhe udhëheq para japonezes Juki Hashimoto.

Japonezja me 1310 pikë ka rënë në pozitën e dytë. Kelmendi deri te pozita e parë arriti falë serisë së suksesshme të realizuar në gjashtë muajt e fundit, përkatësisht pas Lojërave Olimpike "Londra 2012″, ku nuk ia doli të futej në luftë për medalje.

Sportistja të shtunën doli e para në turneun "Grand Prix", të mbajtur në Samsun të Turqisë. Me këtë sukses fitoi 300 pikë në rënditjen botërore. Në shkurt u paraqit edhe në dy finale të turneve të mëdhenj. Në turneun "Grand Slam" të mbajtur në Paris, ajo doli e dyta dhe fitoi po ashtu 300 pikë, ndërsa për medalje të artë në turneun "Grand Prix" të mbajtur në Dusseldorf fitoi edhe 300 pikë të tjera. /albeu.com/



Shtuar më 06/04/2013, ora 10:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori