Ndryshim historik në formatin e “All Star Game”
Pëlqej
Më në fund drejtuesit e NBA lënë mënjanë traditën dhe vendosin të ndryshojnë takimin e përvitshëm të “All-Star Game”. Bëhet fjalë pra për ndeshjen e famshme të ekzibicionit, që zhvillohet si zakonisht ndërmjet yjeve të kampionatit më të bukur dhe më spektakolar në glob. Drejtuesit heqin dorë kështu nga formati i mëparshëm, ku përballeshin Lindja me Perëndimin dhe nga viti 2018 në parket do të shikojmë lojtarët më të mirë të NBA të përzihen ndërmjet tyre. Për hir të së vërtetës ishte koha për të ndryshuar, pasi prej kohësh po dominonte Konferenca e Perëndimit, deri në atë pikë sa në nëntë edicionet e fundit “Lindja” fitoi vetëm dy prej sfidave ndërmjet tyre. Vitin e ardhshëm All-Star Game do të mbahet në Los Angeles, në shtëpinë e Lakers dhe Clippers, “Staples Center”, dhe kapitenët e dy skuadrave do të jenë të lirë të bëjnë përzgjedhjet e tyre, pa qenë të kushtëzuar nga fakti nëse luajnë në Lindje apo Perëndim.

Nga viti tjetër mund të shikojmë të luajnë në një ekip lojtarë të tillë si LeBron James dhe Stephen Curry apo do të kemi fatin për të parë të sprintojnë bashkë në “fastbreak” Russell Westbrook dhe John Wall, të paktën ekzistojnë mundësitë që kjo gjë të ndodhë. Prej kohësh fansat e shumtë kishin kërkuar që lojtarët e përzgjedhur nga votimi të shkriheshin ndërmjet tyre, pasi ky takim filloi të humbasë interesin për rezultatin, madje këtë vit në New Orleans të Luizianës Perëndimi fitoi sërish takimin, por shifrat 192-182 përbëjnë një rekord absolut përsa i përket sasisë së pikëve. Risi përbën gjithashtu edhe fakti që secili ekip do të zgjedhë një destinacion të ndryshëm bamirësie, në Los Angelos ose në favor të një organizate kombëtare të kësaj natyre, ku do të shkojnë përfundimisht të gjitha të ardhurat që do të grumbullohen nga ky takim.

Përsa i përket votimit gjërat do të vazhdojnë po njësoj, me 24 lojtarë që do të përzgjidhen nga fansat, vetë lojtarët si dhe nga mediat, që njësoj si më parë do të vecojnë fillimisht 10 basketbollistët titullarë, raporton SuperSport. 12 vetë nga cdo konferencë do të kenë të garantuar vendin në skuadër, ndërkaq trajnerët do të kenë mundësinë për të seleksionuar gjithashtu edhe 14 basketbollistët e tjerë, që do të jenë pjesë e rezervave, natyrisht pasi lojtarët tuitullarë të jenë përcaktuar.

E kuptueshme, lojtarët që grumbullojnë më shumë vota në konferencat e tyre do të emërohen edhe si kapitenë të skuadrave respektive, e më pas do të do të zgjedhin me radhë nga 22 emrat e tjerë, për të bërë ndarjen përfundimtare të dy ekipeve. Përvec komisionerit Adam Silver meritë të vecantë ka gjithashtu edhe presidenti i Shoqatës së Lojtarëve NBPA Chris Paul. Nga edicioni i kaluar rëndësia e votimit të fansave u reduktua thjesht në 50%, ndërkaq nga 25% të peshës në përzgjedhje do ta kenë lojtarët vetë dhe media. Bilancin e kryeson Lindja 37-29, me “All – Star Game” në NBA përsa i përket vitit 2018 që do të zhvillohet më datë 18 shkurt në Los Angeles, që e pret një event të tillë për herë të gjashtë, dhe për të parën herë që nga viti 2011.
Shtuar më 04/10/2017, ora 17:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori