Novak Djokoviç fiton indian Wells, mund Roger Federer
Novak Djokovic fitoi për herë të tretë mastersin e Indian Wells duke mundur pas një finale të jashtëzakonshme, Roger Federer. Federer që kryesonte 17-15 ndaj Djokovic përpara kësaj finaleje e nisi mirë takimin duke marrë setin e parë me rezultatin 6-3, pasojë dhe e një gabimi në shërbim të serbit. Në setin e dytë gjithçka vajti e barabartë në katër gamet e para, por më pas zvicerani nuk arriti të ruante radhën e shërbimeve me Nolen që shfrytëzoi një break point për t’u shkëputur drejt suksesit 6-3. Federer, që psikologjikisht nuk është më ai i dikurshmi, e lejoi Djokovic të shkëputej në 5-3 në setin final, por zvicerani realizoi në këtë moment një seri goditjesh të jashtëzakonshme duke çuar ndeshjen në tie break.

Raketa numër 1 në botë për numrin e trofeve të fituar, kreu më pas një seri gabimesh me Djokovic që fitoi 7-3 në tie break dhe krejt takimin me rezultatin e përgjithshëm 2-1, duke u hakmarrë dhe për humbjen në gjysmëfinalen e turneut të Dubait, dy javë më parë. Për Nolen ky ishte suksesi i tretë në Indian Wells por që gjithsesi nuk e ngjit në vendin e parë në renditjen e përgjithshme të ATP që vazhdon të mbahet nga Rafael Nadal.
Shtuar më 17/03/2014, ora 15:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori