Ruiz mesazh Joshuan: S’i dua vetëm 15 minuta famë, do të të rrah sërish
Andy Ruiz Jr ka thënë se i dëshiron më shumë se thjesht 15 minuta famë, duke këmbëngulur se synimi i tij është ta shkruajë historinë duke e mposhtur Anthony Joshuan përsëri më 7 dhjetor në Arabinë Saudite.

Kampioni i botës në kategorinë e rëndë të boksit i bëri këto komente në Arabinë Saudite, vendin ku do të mbahet rimeçi mes tij dhe britanikut.

29-vjeçari Ruiz është përballë me kritika se e ka humbur përqendrimin që prej fitores tronditëse ndaj Joshuas për titujt IBF, WBA dhe WBO, por ai këmbëngul se do ta dëshmojë se kritikët e tij e kanë gabim.

Boksieri amerikan, i cili lufton nën flamurin meksikan, ka shpërndarë video dhe fotografi të stilit të jetës së tij të përmirësuar, përfshirë një vila dhe një Rolls Royce.

Po ashtu, ai e ka shfrytëzuar rastin për të marrë shumë sponsorë dhe për të qenë pjesë e shumë emisioneve televizive: “Shumë njerëz po thonë se unë nuk po stërvitem dhe nuk po e marr seriozisht rimeçin. Ka shumë përgjegjësi këtu”.

“Uria nuk më ka humbur. Nuk dua që kjo famë të jetë 15-minutëshe. Dua që ajo të zgjasë, të jetë një gjeneratë, të jem kampion për shumë vjet”, shtoi ai.

“Do ta shkruaj historinë dhe do të fitoj në stilin dhe në mënyrën e njëjtë si më 1 qershor dhe do ta dëshmoj së të gjithë e patën gabim”, këmbënguli ai.
Shtuar më 04/09/2019, ora 21:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori