Zyrtarizohet nga Djokovic zhvillimi i "Adria Cup"
djokoviccc
Novak Djokovic zyrtarizoi zhvillimin e aktivitetit “Adria Cup”, turne që do të mbahet në rajonin e Ballkanit, ku do të marrin pjesë kryesisht tenistë nga ky Gadishull. Përveçse numri 1 i botës, Novak Djokovic është edhe personi që është përzgjedhur për të kryesuar Sindikatën e Tenistëve. 33-vjeçari nga Serbia këtë herë ka menduar për të organizuar gjithashtu edhe një turne përgatitor, pikërisht në prag të rifillimit të sezonit.

Ndeshjet në këtë sport janë ndërprerë që në fillimin e muajit mars, kur u zhvilluan edhe sfidat kualifikuese të Kupës Davis dhe që nga ajo kohë të gjithë tenistët anembanë globit i janë nënshtruar regjimit të detyrueshëm të karantinës, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Tani, që forca e virusit COVID-19 ka rënë në mënyrë të dukshme, të gjithë po mendojnë për të gjetur mënyrën për t’u rikthyer sa më shpejt që të jetë e mundur në fushën e lojës.

Nole ka një fushë me sipërfaqe të shpejtë në vilën e tij, që zotëron në jug të Spanjës, në Marbella, në Krahinën Autonome të Andaluzisë, dhe nga sa ka deklaruar së fundmi ai vetë, numri 1 i botës është stërvitur rregullisht çdo ditë të kësaj periudhe të vështirë, pavarësisht masave shtrënguese dhe regjimit të fortë të karantinës, sidoqoftë jo të gjithë i kanë patur kushtet për t’u ushtruar apo për të kryer stërvitje në mënyrë të rregullt, madje një pjesë e mirë nuk kanë prekur top fare me raketë, prej një kohe vërtet shumë të gjatë.

Pikërisht tenisti nga Serbia ka marrë përsipër organizimin e një turneu të pagëzuar Adria Tour, aktivitet që do të zhvillohet me pjesëmarrjen e vetëm tetë tenistëve, të cilët do t’i luajnë ndeshjet në vende të ndryshme të rajonit të Ballkanit. Nole, që ka fituar 17 tituj Slam në karrierë, deklaroi se tenistët e fundit që do t’i bashkangjiten një iniciative të tillë janë dy kroatët, Marin Cilic dhe Borna Coric.

Në këtë kompeticion janë konfirmuar gjithashtu edhe tenisti bullgar, Grigor Dimitrov, që mban numrin 19-të në renditjen botërore, finalisti i edicionit të fundit në “Australian Open”, Dominic Thiem, që pozicionohet në vendin e tretë në klasifikimin e përgjithshëm ATP, si dhe tenisti gjerman, Alexander Zverev, që për momentin është i shtati në rruzull. Është konfirmuar gjithashtu edhe etapa e parë e këtij aktiviteti dhe këta tetë tenistë, fillimisht do t’i luajnë ndeshjet në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, nga data 13 deri më 14 qershor.

Nole shpjegoi se do të përdorë të gjitha fuqitë e tij, në mënyrë që Beogradi të plotësojë kushtet dhe t’i mirëpresë sportistët pjesëmarrës, duke ofruar mikpritjen e duhur. Me shumë gjasa ky turne do të zhvillohet pa praninë e spektatorëve, për shkak të masave shumë të forta që janë marrë në këtë vend, gjithsesi pas Beogradit, ndalesa e dytë do të jetë në Bregdetin Dalmat, më saktë buzë Adriatikut, në qytetin më të vjetër të Kroacisë, Zadar.

"Adria Cup" do të vijojë më pas duke u zhvendosur me radhë në Bosnje – Hercegovinë dhe Malin e Zi, sidoqoftë formula e këtij aktiviteti është vërtet shumë e thjeshtë. Tenistët pjesëmarrës do të ndahen në dy grupe me nga katër vetë dhe lojtarët që do të fitojnë grupet respektive do të fitojnë të drejtën për t’u ndeshur në takimin final.

Novak Djokovic është rikthyer vetëm tani në atdhe, pas një periudhe 2-mujore të kaluar në Spanjë, megjithatë pjesëtarët e stafit të tij kanë konfirmuar se falë stërvitjes sistematike 33-vjeçari duket në një formë të shkëlqyer. Numri 1 i botës ishte tenisti më në formë, përpara se gjithçka të ndërpritej për shkak të pandemisë së koronavirusit, madje Djokovic është shfaqur i pathyeshëm në vitin 2020, me 18 fitore në 18 ndeshjet e zhvilluara, e gjatë dy muajve të parë të vitit ky tenist triumfoi në Sydney në “ATP Cup”, në “Melbourne Park” ku siguroi suksesin e tetë në Australian Open, duke përmbysur disavantazhin 2-1 ndaj austriakut Dominic Thiem, si dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, në Dubai, ku Nole mposhti në finale në vetëm dy sete mikun e tij, tenistin grek, Stefanos Tsitsipas./SS/
Shtuar më 27/05/2020, ora 15:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori