Bakaj ikën pa asnjë peng nga Superliga: Do ma ndjenjë mungesën
Pëlqej
Nga Kukësi te Shakhter Soligorsk, një transferim që i la të gjithë të shtangur. Elis Bakaj është gati për aventurën e re në Bjellorusi, duke mos pasur asnjë peng për zgjedhjen e bërë.

“Ndodhi shumë papritur. Normalisht kisha dijeni pasi ishim në bisedime prej afro 2-3 javësh. Në këtë periudhë nuk isha transferuar ndonjëherë, por unë jam profesionist, futbolli është biznes dhe si unë edhe klubi duhet ta marrim si një gjë normale, sepse ndodh në të gjithë botën. Futbolli është i papritur, sepse sot je këtu, nesër mund të jesh në një vend tjetër. Unë jam mësuar me këto gjëra, nuk më bën përshtypje dhe nuk kam ndonjë peng. Besoj që kam bërë zgjedhjen më të mirë, shpresoj të kem shëndet që të bëj atë që di të bëj më mirë”.

Me Kukësin që është larg garës për titullin transferimi u bë edhe më i lehtë, ndërsa kampionët e Shqipërisë në fuqi do të përfitojë 100 mijë euro nga shitja e lojtarit.

“Edhe klubi ka interesat e veta. Për një ekip futbolli që të shesë lojtar, aq më tepër në moshën 30-vjeçare nuk është gjë e vogël. Megjithatë Kukësi ka ekip cilësor dhe ka individë që mund të bëjnë diferencën dhe nuk është se do të ndihet mungesa e Bakajt, ashtu siç e kanë bërë edhe më para. I uroj suksese, ekipit, lojtarëve, të gjithë stafit . Ia kam kaluar shumë mirë aty në këtë periudhë dhe uroj që të arrijnë majat e futbollit shqiptar”.

Bakaj kaloi te Shakhter Soligorsk-it si golashënuesi më i mirë i kampionatit, me kontratë 1-vjeçare me opsion rinovimi.

“Është një ekip që gjithmonë pretendon për titullin. Vjet e humbi kampionatin në javën e fundit, ku Bate ia fitoi vetëm për tre pikë, gjithashtu humbën finalen e Kupës me penallti. Edhe këtë vit janë të etur për trofe. Çfarë pres? Kam eksperiencë shumë të gjatë në futboll, kam eksperiencë edhe jashtë vendit.Nuk do të shkoj më si një 20-vjeçar që nuk kisha dalë ndonjëherë nga Shqipëria dhe do të jap maksimumin për ekipin që të arrijmë objektivat që ka. Për momentin jam shumë i gëzuar që kam arritur të firmos me një ekip pretendet, që synon gjithmonë titullin. Është një eksperiencë e re për mua dhe e pres me krahët hapur” përfundoi Bakaj. /albeu.com/
Shtuar më 06/03/2018, ora 14:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori