Superiorja i mban ndezur “motorrët”. Brenda katër ditësh luhen dy javët e para të fazës së tretë, duke i detyruar
skuadrat t’i përveshin mirë mëngët, sidomos në aspektin fizik. Kjo për shkak se në harkun kohor të pothuajse një jave janë të detyruar të luajnë tri ndeshje radhazi. Fundjavën e kaluar konsumuan ndeshjet e javës së fundit të fazës së dytë, në mesjavë javën e 23-të dhe këtë fundjavë, të shtunë dhe të diel, janë në fushat e blerta për llogari të javës së 24-t.
Përveç
ndeshjes së "Roza Haxhiu"-t Lushnja-Skënderbeu, e fituar 2-4 nga kampionët në fuqi, sot është zhvilluar edhe ndeshja tjetër Bylis-Laçi. Në Ballsh ndeshja ka
nisur me 20 minuta vonesë. Shkak për këtë është bërë zbatimi me përpikmëri i rregullores, kërkuar nga delegati Besnik Cela, që është njëkohësisht edhe shef i sektorit të garave në FSHF. Tifozët e vendosur nëpër ndërtesa afër stadiumit, apo ndonjë tjetër që kishte munduar të depërtonte edhe brenda impiantit sportiv, është kërkuar që të largohen.
Vendimi i Disiplinës, që Bylis ta luante ndeshjen e radhës pa tifozë, është jetësuar pas disa minutash debat dhe impenjim nga zyrtarët e federatës. Më pas loja ka
nisur në një stadium të zbrazët, por është ndërprerë edhe një herë tjetër nga delegati i FSHF-së, që kësaj radhe ka kërkuar zbrazjen e tribunës së stadiumit, prej nga vinin në kor sharje në kor për lojtarët miq.
E gjitha kjo ka nxjerr në pah atmosferën e nderë në aksin Ballsh-Laç, ku "armiqësia" mes dy klubeve vetëm sa thellohet. Në të tilla kushte, pak futboll është luajtur në tapetin e blertë, ku goli nuk ka dalë në dritë dhe
skuadrat kanë ndarë nga një pikë.
Tension edhe në fundin e
ndeshjes, kur është akorduar një penallti për miqtë. Kontestimet e vendësve kanë qenë të fuqishme, aq sa janë dashur më tepër se dhjetë minuta që Vucaj të lejohej të godiste nga pika e bardhë. Kapiteni kurbinas e ka dërguar topin mbi traun e portës së Frashërit, duke mos i dhënë fitoren skuadrës së tij.
Natyrisht, duke parë tërë këtë problematikë, kjo ndeshje do të “skanohet” edhe nga Komisioni i Disiplinës, ku
kurbinasit mund të kërkojnë edhe fitoren në tavolinë, sipas burimeve pranë klubit bardhezi.
Nga ky rezultat, natyrisht që kanë mbetur më të kënaqur
kurbinasit, që e mbrojnë vendin e dytë edhe këtë javë, me 38 pikë, duke pritur transfertën e të kuqve në Shkodër, të dielën, si rivalët e vetëm që mund t’ua rrezikojnë këtë pozicion në këtë stacion të garës. Ballshiotët mbeten në vendin e dhjetë, me 25 pikë, duke mos dalë nga kriza rezultative që i ka përfshirë në vitin 2014, pas largimeve të elementëve cilësorë në merkaton e janarit. Kategoria e Parë është shumë pranë edhe për ta. /albeu.com/
Shtuar më 15/03/2014,
ora 17:56