Besa mposht Vllazninë, Tirana katandiset e fundit
Java e 11 e Kategorisë Superiore është mbyllur me fitoren e Besës përballë Vllaznisë. Kavajasit kanë marrë tre pikë të arta në luftën për mbijetesë. Fatjon Sefa ka shfrytëzuar të vetmin gabim në vendosje të mbrojtjes shkodrane për ta ndëshkuar Vllazninë në momentin e saj më të mirë. Nëse kuqeblutë kanë patur raste flagrante për të shënuar gol, sidomos me Arsen Hajdarin, kavajasit janë gjendur "me pikatore" përballë Vujadinovicit. Mirëpo, në futboll ekziston ligji i pashkruar: po nuk shënove, do ta pësosh. Kjo i ndodhi skuadrës së Agim Canajt, që e ka përcjellë sfidën nga tribuna, për shkak të pezullimit 1-javor nga Disiplina, e cila doli duarbosh nga një ndeshje e luajtur vërtet mirë.

Shpëtimtar i portës kavajase ka qenë Ibrahim Bejte, por natyrisht që në disa raste është “falur” edhe nga sulmuesit shkodranë. Rasti i Hajdarit në gjysmën e pjesës së dytë ka qenë i pafalshëm për t’u humbur. Numri 7 i kuqebluve ka qenë i vetëm me portierin verdhezi, por nuk ka mundur të finalizojë, duke u ngatërruar me këmbët e veta. Ka tentuar disa herë nga distanca edhe Kruja, por “gardiani” i Besës u ka thënë “jo” miqve.

Dhe kur pritej nga momenti në moment që Vllaznia të shënonte, si rezultat i presionit të madh që krijoi në gjysmëfushën kavajase, vjen krejt papritur ndëshkimi. Shkodranët kanë dalë me forca të shumta në kërkim të golit, por krijojnë boshllëqe në prapavijë, duke i dhënë mundësinë lushnjarit Sefa që të ndëshkojë. I padukhsëm deri në ato moment, shtatlarti i Besës mposht portierin Vujadinoviç, duke u dhënë të tijve tri pikë shprese në luftën për mbijetesë.

Vllaznia, nga ana e saj, humbi një nga ndeshjet e veta të luajtura më mirë, por edhe mundësinë për të parakaluar Teutën në vendin e dytë në klasifikim.

Kavajasit e Mergjyshit ngjiten tashmë në kuotën e 11 pikëve, duke ia lënë fundin e renditjes Tiranës, në këtë fund të fazës së parë. /albeu.com/



BESA – VLLAZNIA 1-0
Golat: Sefa 82′
Shtuar më 10/11/2013, ora 16:58
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori