Daja nuk dëshiron t'ia dijë, flet vetëm për fitore
Pëlqej
Pas barazimit në Vlorë, që i ndërpreu disi marshimin në kampionat, Skënderbeu kërkon të kthehet te fitoret. Korçarët presin në shtëpi surprizën e këtij sezoni, Kamzën, ku edhe pse kalendari i ngjeshur nuk ia lehtëson aspak punën, trajneri Ilir Daja shprehet qartë për atë që pret nga skuadra.

Koha që kemi pasur në dispozicion, për përgatitjen e ndeshjes po ashtu si rivali ka qenë e shkurtër, ndaj duhet të imponojmë me ‘forcë’ lojën tonë. Duhet ta vlerësojmë kundërshtarin dhe të futemi në lojë me një tjetër ritëm, jo si në ndeshjen e kaluar për të arritur fitoren.

Kamza është e vetmja skuadër që i mori pikë Skënderbeut në fazën e parë. Objektivi i bardhekuqve është që të mos e përsërisin të njëjtin gabim dy herë.

Kamza është i vetmi ekip që na frenoi në fazën e parë. Nuk luajmë për barazimin. Nuk na kënaq thjesht një rezultat pozitiv, sepse rruga e vetme për Skënderbeun janë 3 pikët.

Ecuria rekord e korçarëve në 10 javët e para ka rritur pritshmëritë. Trajneri është i kënaqur me performancat e ekipit, por kërkon të ulë entuziazmin, pasi sezoni është ende i gjatë.

Pas paraqitjeve të bëra në fazën e parë, janë rritur pritshmëritë në rezultate dhe në lojë. Nga maksimumi i 30 pikëve kemi lënë vetëm 4, por nuk duhet të kënaqemi, pasi ka kaluar vetëm një e katërta e kampionatit.

Ilir Daja foli edhe rreth vështirësive të rivalëve të Partizanit, duke theksuar se rikthimi i të kuqve do të ishte vlera e shtuar e kampionatit, ndërsa sqaroi edhe situatën rreth mesfushorit Donjet Shkodra.

Partizani me më tepër pikë, do t’i shërbente cilësisë së garës dhe do të ishte një vlerë e shtuar për kampionatin. Për sa i takon mesfushorit Donjet Shkodra, bisedova me të dhe më sqaroi se në ato momente gjaknxehtësie, veprimin e kishte me veten, jo për zëvendësimin apo ndaj skuadrës. Ai është një lojtar që asnjëherë nuk ka krijuar probleme dhe nuk është nevoja të krijojmë çështje kur ato nuk ekzistojnë. /Albeu.com/
Shtuar më 19/11/2017, ora 09:21

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori