Donjet Shkodra, në Kukës për një bast personal
Kalimi i Donjet Shkodrës tek Kukësi është një sfidë personale e mesfushorit nga Prishtina. Në verën e 2016, Shkodra erdhi në Superiore si një i panjohur teksa ishte Flamurtari që besoi në aftësitë e tij.

Impakti ishte i menjëhershëm pasi Donjeti shënoi në debutimin e tij në Korçë ndërsa një javë më pas lëshoi dy perla përpara publikut vlonjat në fitoren 5-0 ndaj Luftëtarit. Më tej në një sezon me ulje ngritje për arsyet financiare, Shkodra u kthye në një lojtar kyç për vlonjatët aq sa tërhoqi vëmendjen e Skënderbeut. Kur pritej që ky të ishte viti i 28-vjeçarit rezultoi e kundërta. Mesfushori që në cv e tij ka aktivizimin në kampionatin belg, nuk gjeti hapësira në formacionin e korçarëve, pavarësisht se Skënderbeu luajti edhe në fazën e grupeve të Europa League, përcjellë SuperSport.

Praktikisht me një ngjeshje të kalendarit pritej që për Shkodrën të kishte më shumë hapësira, por mesfushori duket se nuk ka bindur trajnerin dhe drejtuesit e klubit të cilët e lejuan kalimin e tij tek një skuadër rivale si Kukësi. Dhe në veri me fanellën e kampionëve tashmë Shkodra ka një bast personal, të bindë të gjithë për aftësitë e tij, ato që shfaqi në Vlorë, për të synuar më pas atë që ëndërron, një paraqitje të mirë në arenën europiane.
Shtuar më 04/01/2018, ora 15:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori