E priste Kukësi, por Vilën e "rrëmben" Partizani
Pëlqej
Emiljano Vila është zyrtarisht futbollist i Partizanit. Mesfushori i kombëtares kuqezi ka arritur akordin me "Demat e Kuq" dhe do të jetë pjesë e tyre në sezonin e ri futbollistik. Në kohën kur pritej te Kukësi, presidenti i të cilit thuhej se i kishte afruar 80 mijë euro, futbollisti durrsak ka bërë zgjedhjen e tij, duke iu bashkuar 15 herë kampionëve të vendit.

"Emiljano Vila është zyrtarisht lojtar i FK Partizanit. Klubi konfirmon goditjen e radhës në merkato, duke përforcuar tashmë ndjeshëm organikën e skuadrës, që në këtë sezon do të synojë fitimin e të dy trofeve në vend. Akordi mes 26-vjeçarit dhe klubit është arritur mesditën e sotme, teksa është nënshkruar edhe kontrata 1-vjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjeter sezon. Pas eksperiencës tepër pozitive në kampionatin grek, tek skuadra e Pas Janinës, Vila aktualisht edhe pjestar i ekipit tonë përfaqësues. Ai rikthehet në Kategorinë Superiore me fanellën e Partizanit pas aventurave të mëparshme në vend me Teutën dhe Dinamon. Njoftojmë se prezantimi i Emiljano Vilës do të bëhet sot në ambjentet e klubit", thuhet në njoftimin për shtyp të Partizanit.

Kështu, një tjetër lojtar i kombëtares i bashkohet Superiores në sezonin që starton në gusht, duke e rritur ndjeshëm konkurrencën.

Vila ka luajtur sezonet e fundit së bashku me Andi Lilën te PAS Janina në kampionatin grek, por nuk rinovoi kësaj vere, ndryshe nga mbrojtësi kavajas. Për shërbimet e tij u interesuan disa skuadra, mirëpo duket se trajneri Duro është treguar më i efektshëm dhe ka siguruar shërbimet e një lojtari me kualitet.

Ai ka luajtur më herët edhe me Dinamon e Teutën në Shqipëri, ka pasur një eksperiencë të shkurtër në Kroaci, ndërsa është pjesë e kombëtares prej disa vitesh. /albeu.com/

Shtuar më 05/08/2014, ora 10:48
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori