Elbasani, ja pse Bashkia do të largohet nga skuadra
Pëlqej
Laze-Duka-Sejdini
"Panorama Sport" zbardhi dy ditë më parë vendimin që pritet të marrë Këshilli Bashkiak i Elbasanit sa u përket aksioneve që kjo qeverisje vendore ka në klubin verdheblu, teksa këto të fundit do të dalin në treg. Bëhet fjalë për 45.35% të aksioneve që zotërohen nga kjo bashki, të cilat do të shiten me një çmim simbolik prej 1 mijë lekësh të rinj.

Burime të besueshme të gazetës pranë Bashkisë së Elbasanit konfirmojnë se shitja e aksioneve nuk bëhet pa qëllim, por ka një arsye tepër të fortë. Shumat e konsiderueshme që ky institucion vendor derdh si aksioner në arkat e klubit (vetëm vitin e fundit buxheti ka qenë 170 milionë lekë të vjetër), si edhe kriza që ka bashkia në likuiditetet, ka bërë që të hiqet dorë nga financimi i klubit.

Bashkia ka vendosur që një pjesë e parave të taksapaguesve të mos shkojnë më për mbajtjen e ekipit, por për shërbime të tjera të qytetit, për të cilat Elbasani ka më shumë nevojë. Nga zyrtarë të Bashkisë mendohet se nuk është e drejtë që sporti të mbahet me taksat e qytetarëve, por nga biznesmenët të cilët edhe janë të interesuar për të financuar në këtë klub. Tani mbetet për t’u parë sesi do të vijohet me shitjen e aksioneve, sapo ato të dalin në treg.

Elbasani është një qytet që thith investitorë, ndaj e njëjta gjë pritet që të bëhet edhe me ata që do të kërkojnë për të investuar në klubin e futbollit dhe normalisht më pas të pretendojnë që paratë e hedhura në aksione t’u kthehen më pas në fitime.

Aktualisht, përveç bashkisë, Elbasani ka edhe dy aksionerë: Arben Lazen me 45.96% dhe Gentian Çërragen me 8.69%. /albeu.com/


Shtuar më 15/08/2014, ora 09:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori