Elbasani-Skënderbeu ngre siparin e Superiores
Pëlqej
Nëntë tituj kampion që do të zbresin në fushë që në ditën e parë të Superiores, me dy sfida që vendosin përballë emra të mëdhenj të futbollit tonë. Elbasani-Skënderbeu do të jetë takimi që do të ngrejë siparin e kampionatit. Takimi do të luhet në "Qemal Stafa", për shkak të punimeve në impiantin e vendasve.

Kampionët e vendit do të nisin përballë verdhebluve mbrojtjen e tyre të titullit. Pas aventurës së pafat në Europë ku u eliminuan për shkak të golit në fushë kundërshtare, korçarët arritën të fitonin trofeun e parë sezonal pasi mundën në të njëjtin stadium një javë më parë Flamurtarin në Superkupën e Shqipërisë.

Korçarët janë padyshim skuadra për t’u mundur dhe këtë vit shfaqen të fortë sidomos në repartin e mbrojtjes. Afrimet e Vangjelit apo Osmanit e kanë konsoliduar në prapavijë ekipin e Josës, që ndaj verdhebluve mund të luajë me skemën 4-4-2, ku dyshen e sulmit me shumë gjasa do ta formojnë Sefa dhe Ribaj.

Elbasani është rikthyer në Superiore pas një mungese disa vjeçare dhe kërkon që të bindë, pse jo që në javën e parë ndaj kampionëve në fuqi. Verdheblutë janë një prej klubeve më me traditë në vend dhe kanë lëvizur jo pak në merkato për të siguruar një skuadër dinjitoze për këtë sezon, që premton për t’i hapur vështirësi Skënderbeut sot në orën 17:00.

Takimi më i rëndësishëm i ditës luhet në Vlorë mes Flamurtarit dhe Teutës. Vlonjatët janë një prej ekipeve favorite për fitimin e titullit kampion teksa kanë afruar shumë emra të rëndësishëm në verë. Gjithashtu është investuar dhe në konsolidimin e imazhit të klubit ashtu si dhe në stadiumin e qytetit, që është rikonstruktuar në pjesë të veçanta të tij. Në Superkupë nuk ishte Flamurtari më i mirë i mundshëm por në kampionat Gjoka me shumë gjasa do të hedhë në fushë emrat më mirë që ka në gadishmëri.

Teuta, me futbollin e saj të kujdesshëm gjithmonë ka qenë mes skuadrave që kanë garuar për vendet e larta të renditjes dhe ekipi i Hasan Likës dhe këtë vit nuk bën përjashtim pavarësisht se rivaliteti do të jetë dhe më i madh se vitet e kaluara.

Ky duel luhet në orën 20:00. /albeu.com/
Shtuar më 23/08/2014, ora 09:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori