Foto Strakosha: Im bir nuk përfshihet nga euforia, nuk duhet ta vini në duel me Berishën
Pëlqej
Mijëra shqiptarë festuan kur Strakosha priti në sekondat e fundit të ndeshjes penalltinë e Dibalës në atë fitore dramatike të Lacios një javë më parë. Po babai i Thomasit, Strakosha, ai që dikur çonte peshë zemrat e një kombi të tërë me pritje vendimtare, si është ndier? Me kë e pa ndeshjen? Sa mesazhe mori? Sa i shkoi numri i rrahjeve të zemrës në atë moment? Shumë pyetje për një njeri si

Foto Strakosha, që kur flet e tradhton rolin e portierit dhe bëhet një driblues i papërmbajtshëm. E ka të vështirë të thurë elozhe për djalin e tij, por e pranon ama se është në rrugën e duhur për të pasur një karrierë të ndritur. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-kapiteni i Kombëtares nuk kursen as kritikat, por thotë me bindje se Tomi (kështu e thërret ai Thomasin) nuk do të vuajë asnjëherë nga euforia.

Foto dhe Thomas Strakosha

Foto, ku e ndoqët ndeshjen Juventus-Lacio?

Në shtëpi.

Vetëm apo me familjen?

Me familjen.

Festuat pas penalltisë së pritur të Thomasit ndaj Dibalës?

Festova shumë. Ishte ndjesi e rrallë. Natyrisht, nuk ishte pak ajo që bëri, sepse ndeshje të tilla kanë një efekt special për çdo futbollist.

A është e vërtetë që e kishit përgatitur djalin për penallti të mundshme ndaj Juves?

Këto janë detaje që nuk mendoj se kanë rëndësi. Unë me Thomasin kemi një raport babë e bir, por për shkak të profesionit diskutojmë edhe mbi punën. Fati e desh që jo vetëm të kemi të njëjtin profesion, por edhe të njëjtin rol. Është e pashmangshme të bëjmë edhe diskutime për punën.

Po jua riformuloj pyetjen: a i kishit dhënë Thomasit ndonjë këshillë para ndeshjes nëse do të kishte penallti për Juven?

E kuptova pyetjen, por nuk kam dëshirë të futem kaq në detaje për biseda që i përkasin raportit tim me djalin. Është normale që edhe të jap ndonjë këshillë, por edhe të dëgjoj atë për këndvështrimin që mund të ketë për detaje të caktuara. Por, gjithsesi, po ju kujtoj se Tomi stërvitet nga profesionistë shumë të zotë te Lacio.

Strakosha

Si stërvitet Thomasi?

Me shumë seriozitet dhe me shumë dëshirë.

Ish-trajnerë të tij kanë deklaruar se Thomasi i nënshtrohet pothuajse një regjimi maniakal stërvitjeje. Është shumë i fiksuar pas detajeve…

Unë këtë e quaj seriozitet ndaj punës që ka ai. Nëse përpiqesh të përmirësohesh duke punuar, nuk shoh asgjë të keqe.

Sa larg mund të shkojë djali juaj?

Shikoni, futbolli nuk është shkencë ekzakte. Thomas ka punuar fort për të mbërritur në këto nivele, por është pa dyshim i ndërgjegjshëm se do t’i duhet të punojë shumë që të jetë konstant.

Pas asaj penalltie, pati elozhe pa fund për Thomasin, madje e quajtën një perëndi që kish zbritur në tokë… A ju shqetëson fakti se mund të rrëmbehet nga euforia në të ardhmen?

Jo, nuk më shqetëson kjo. Një nga elementët më të mirë në karakterin e Thomasit është fakti që ai qëndron gjithnjë me këmbë në tokë. Ai është i pjekur dhe e di përgjegjësinë që ka mbi supe, sepse luan në një klub të madh e me ambicie. Sa për ta ilustruar këtë, po ju them se një ditë pasi priti penalltinë e Dibalës shkoi i pari në stërvitjen e Lacios dhe u kthye i fundit.

A ka një gjë që të shqetëson në këto momente, ose që nuk të pëlqen nga gjithë kjo atmosferë e krijuar?

strakosha

Shikoni, ne jetojmë me futbollin dhe e dimë që kur je mirë të ngrenë në qiell, por sapo has në ndonjë problem edhe kritikat janë të pam- ëshirshme. E megjithatë ka diçka që nuk më pëlqen.

Çfarë nuk ju pëlqen?

Fakti që ka tendenca për të krijuar një dualizëm artificial mes Berishës dhe Strakoshës. Kjo, për fat të keq, vjen edhe nga media shqiptare. Nuk është as e drejtë dhe as e shëndetshme që të nxitet një përplasje mes tyre. Nuk më pëlqen që ka diskutime të tipit: “Kush e priti më mirë penalltinë e Dibalës, Berisha apo Strakosha…?”. Kjo nuk na çon askund dhe përveçse nuk u shërben dy lojtarëve, nuk i shërben as Kombëtares.

Por gjithsesi ata mbeten rivalë për një fanellë titullari në Kombëtare apo jo?

Po, patjetër, por tjetër gjë është rivaliteti sportiv dhe tjetër gjë është të nxisësh një duel mes tyre. Shqiptarët duhet të kënaqen dhe të krenohen sot që kanë dy portierë të shkëlqyer dhe jo të bëjnë krahasime se kush prej tyre është më i mirë. Në fund, e vendos trajneri i Kombëtares se kush luan dhe secili respekton verdiktin.

Sa mesazhe morët pas ndeshjes Juve-Lacio?

Pa fund. I falënderoj të gjithë miqtë dhe dashamirësit.

Sa larg mund të shkojë Thomasi në karrierë?

Është në dorën e tij. Natyrisht, futbolli është edhe fat, por sigurisht që është në rrugën e duhur. /Panorama/
Shtuar më 22/10/2017, ora 13:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori