Gavazaj kërkon ta mbyll me triumf Europën, para se ta blindojnë Superioren
Pëlqej
Në sezonin historik në arenën ndërkombëtare, nga kalimi i katër tureve deri te 5 pikët e grumbulluara në grupet e Europa League, te Skënderbeu synojnë ta mbyllin në mënyrën më të mirë këtë edicion. Në sfidën e fundit përballë Young Boys objektivi është rezultati pozitiv, me Enis Gavazajn që synon të përfundojë misionin e nisur më 28 Shtator në “Elbasan Arena”, në ndeshjen e parë ndaj zviceranëve.

"Ishte një ndeshje e nisur mirë nga unë dhe skuadra. Tentuam të fitonim, por nuk ia arritëm. Në atë ndeshje edhe u dëmtova, duke kaluar një periudhë të vështirë dhe qëndrova për më tepër se një muaj jashtë fushave. Besoj që tani jam rikuperuar plotësisht dhe do ta ndihmoj ekipin të arrijë rezultat pozitiv në Bernë. Skënderbeu kudo ku luan hyn në fushë për fitore."

Ajo në Bernë mund të ishte një finale për të vazhduar rrugëtimin. Pavarësisht zhgënjimit për eliminimin e parakohëshëm, djaloshi nga Prizreni fikson objektiva për sezonin e ardhshëm. Edhe pse është një prej “xhevahirëve” më të kërkuar në merkato, Gavazaj mendon ende si lojtar i Skënderbeut.

"Pa dyshim që është zhgënjyes fakti që nuk mund të luajmë për kualifikimin në ndeshjen e fundit, por ne do të tentojmë me të gjitha forcat të fitojmë ndeshjen e fundit dhe të synojmë që vitin tjetër të arrijmë diçka më tepër. Qëndrimi te Skënderbeu? Për aq kohë sa kam kontratë me ekipin mendoj vetëm për Skënderbeun, pastaj çfarë do të ndodhë më pas nuk e di. Për momentin po mendoj vetëm për paraqitje sa më të mira me ekipin."

Sulmuesi beson se shumë shpejt korçarët do të mbyllin garën për titull, ndërsa evidenton arsyet e dominimit të Skënderbeut në këtë kampionat.

"Nuk e kemi vrarë kampionatin, por thjesht jemi më të mirë se të tjerët. Shumë spejt besoj se do të mbyllet edhe gara në kampionat. Kemi një grup shumë cilësor me dy apo tre futbollistë në çdo pozicion. Besoj që kjo e ka mbajtur ekipin në nivele të larta dhe na ka ndihmuar të kemi rezultate shumë të mira." /albeu.com/
Shtuar më 05/12/2017, ora 16:49

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori