Gjici merr vendimin për trajnerin, ultimatum skuadrës
Armando Cungu do të vijojë të jetë trajner i Kukësit. Edhe pse u fol për një krisje me presidentin dhe teknikut shkodran pas humbjes ndaj Teutës, “Panorama Sport” mëson se pas një reflektimi 2 ditor, Gjici ka konfirmuar Cungun, duke vendosur si ultimatum kthimin te rezultatet pozitive në sfidën e ardhshme ndaj Kamzës dhe në vazhdim. Këtë gjë presidenti e pohon edhe në konferencën për shtyp të mbajtur ditën e sotme.

“Trajneri ka qenë pushim ditën pas ndeshjes, ka qenë në Shkodër si zakonisht. Tani vijon punën, nuk ka pasur asnjë vendim për ta larguar. Ka besimin tim absolut, sepse loja nuk ka qenë e keqe, përtej rezultateve. Loja po përmirësohet nga ndeshja në ndeshje. E patë vetë në Durrës që luajtëm shumë mirë, mund të na jepej një penallti, ashtu si për Teutën. Ndoshta edhe arbitri e humbi qetësinë. Loje prodhuam, klubi nuk ka marrë asnjë vendim për trajnerin, përndryshe do e kishim zyrtarizuar ne si klub, jo mediat”, u shpreh Gjici.

Presidenti tregon gjithashtu për ultimatumin që i ka vendosur trajnerit shkodran dhe skuadrës pas humbjes ndaj Teutës:

“Kam biseduar sot me trajnerin dhe lojtarët, sepse edhe ata kanë përgjegjësi. Duhet qetësi e madhe për ndeshjet e ardhshme. Kamza nuk duhet nënvlerësuar, edhe pse e fundit. I kam kërkuar Cungut të jetojë në Tiranë, nuk është normale ta bëjë vajtje-ardhje për në Shkodër. Ka pasur jo pak probleme, që do t’i zgjidhim. Sot kemi bërë marrëveshje me lojtarët, duam 4 fitore rresht. Nuk kam vendosur gjoba, do të ketë premio nëse arrijmë objektivin në ndeshet e radhës. ”, u shpreh Gjici.

Shtuar më 18/02/2019, ora 11:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori