Gjoka para ndeshjes me Partizanin tregon rëndësinë e tifozëve
Pëlqej
Vllaznia-Partizani vijnë pas një ecurie pozitive dhe duket se kanë hedhur pas telashet e disa javëve më parë. Ernest Gjoka e konsideron sfidën me Partizanin si një ndeshje elitare.

“Mendoj që është një nga ndeshjet elitare te futbollit shqiptar, për vetë historinë dhe atë çfarë përfaqësojnë të dy skuadrat, ndaj ka më shumë përgjegjësi. I kam kërkuar skuadrës vetëm dinjitet. Të japin maksimumin, me shpresën që do të arrijmë të marrim maksimumin. Kemi ende nevojë jetike për pikë, ndaj do t’i kërkojmë ato në çdo takim, deri në fund të sezonit”, tha Gjoka.

Mbrojtja ka qenë arma më e fortë e Gjokës dhe tekniku mendon se ndërhyrjet e bëra në merkaton e dimrit po rezultojnë efikase.

“Shpesh jemi penalizuar nga problemet në mbrojtje dhe me ndërhyrjet në merkato, them se e kemi sistemuar me 90 % këtë repart. Malota është një lider në prapavijë, për mendimin tim nga më të mirët në qarkullim, pasi i jep qetësi skuadrës. Bashkë më Berishën, por edhe Mersinin e Gocajn, bëjnë një 4-she shumë solide, që na ofron shumë garanci. Nëse ke qetësi dhe siguri në prapavijë, atëherë mund të sulmosh më qetësisht dhe të jesh më pranë fitores”, deklaroi Ernest Gjoka.

Për trajnerin e shkodranëve është e rëndësishme që në këtë fazë skuadra ka fituar qetësinë e nevojshme, por pa harruar vështirësitë e fillimit.

“Klima është më e qetë, por shqetësimi vijon të jetë, pasi ne e dimë se kemi shumë punë për të bërë, sepse kundërshtari që kemi mbrapa është shumë i rrezikshëm dhe diferenca nuk është e parikuperueshme. Na mungojnë shumë pikë, ndaj duhet të japim maksimumin. Nuk duhet të harrojmë gjithë presionin që kemi kaluar, veçanërisht në fillim të këtij viti dhe të ngremë kokën e të ecim para, për të mos u kthyer edhe njëherë në atë situatë të para pak javëve”, u shpreh trajneri i shkodranëve.

Për Gjokën është e rëndësishme që në këtë moment të gjithë të jenë të bashkuar.

“Tifozët janë oksigjen dhe mbështetje shumë e madhe. Kemi nevojë për ata, pasi jemi akoma jo mirë dhe po të jemi të gjithë bashkë, do të ecim para”, u shpreh Gjoka./albeu.com/
Shtuar më 13/03/2018, ora 17:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori