Halili: Falje Shkodrës, të gatshëm të paguajmë dëmet
Pëlqej
Donatori i Tiranës, Refik Halili, u kërkon falje tifozëve të Vllaznisë dhe gjithë Shkodrës për atë që ndodhi në ndeshjen e fundit në "Loro Boriçi". Në një lidhje telefonike dje në mbrëmje për televizionin lokal të Shkodrës, "Star Plus", Halili konfirmoi se klubi bardheblu është gati të paguajë dëmet e shkaktuara nga tifozët e Tiranës.

"U kërkoj falje të gjithë tifozërisë shkodrane. U kërkoj falje të gjithë nënave shkodrane për panikun e krijuar. Jemi të gatshëm që të shtrijmë dorën e pajtimit në të mirë të futbollit. Jemi të gatshëm të paguajmë edhe dëmet e shkaktuara nga tifozët tanë. Nuk është në të mirë të askujt që të mbyllen stadiumet. Ne ende nuk kemi apeluar dhe ndoshta nuk apelojmë fare vendimin e FSHF-së. Shkodra dhe Tirana janë dy klube me shumë traditë. Jam i gatshëm të vij në Shkodër dhe ta mbyllim këtë histori. Nuk është politika, as vetë FSHF, por vetëm ne klubet që mund ta mbyllim këtë histori. Sa i përket deklaratës time pas ndeshjes në gazetë, mund të them se kam qenë i nxituar, sepse nuk i kam parë pamjet televizive", ka thënë dje Halili.

Ndërkohë, një ditë pas ngjarjes së dhunshme në Shkodër, donatori i bardhebluve foli ekskluzivisht për "Panorama Sport", duke thënë se e kanë goditur tifozët e Vllaznisë, në momentin kur po shkonte të qetësonte ultrasit e Tiranës.

Mirëpo, videoja e shfaqur në TV tregoi të kundërtën dhe se Halili ishte goditur me një send të fortë në kokë, i ardhur nga tribuna ku ishin të vendosur tifozët e Tiranës.

Gjatë këtyre ditëve ka pasur jo pak polemika mes drejtuesve të Vllaznisë dhe atyre të Tiranës. /albeu.com/

Shtuar më 17/09/2014, ora 10:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori