PDIU braktis Edi Ramën
Ish- kampioni i Botës tregon sa vuajti për t'u shpëtuar plumbave të 97-tës
Pëlqej
Historia e shkurtër dhe qesharake e ish kampionit të botës Mario Kempes, si trajner tek Lushnja në vitin e vështirë 1997 është e njohur. Por atë tani e ka treguar vetë ish futbollisti dhe trajneri në autobiografinë e vet të publikuar në Argjentinë “El Matador”. Në disa faqe të tëra Kempes rrëfen se si e thirri në Lushnjë Pëllumb Xhaferi I bri I bosit të kompanisë piramidale “fondacioni Xhaferi, si përjetoi ai trazirat e njerzve që humbën paratë dhe në fund si arriti të arratiset nga Shqipëria, përpara se të mbyllej aeroporti. Pjesa shqiptare e rrëfimit të tij është përkthyer dhe përgatitur për botim nga “Vipsport.al”.

“Pas kthimit në Belle Ville, pasi kisha mbushur 42 vjeç dhe më këpucët e varura në dollapin tim, dëshira për të vazhduar duke drejtuar ekipe u ringjall me një tjetër propozim ekstravagant: të drejtoja një ekip në Shqipëri, shteti më i varfër në Europë. Edhe një herë tjetër m’u desh t’i drejtohesha hartës për të mësuar ku gjendej ky shtet. Si erdhi kjo ofertë e çuditshme? Një person i quajtur Pëllumb Xhaferri – djali i një manjati financash, Rrapush Xhaferri, i cili administronte shuma të mëdha parash dhe një llotari e cila quhej “loja e piramidave”, një menaxhim i ngatërruar i cili u ofronte personave të përfshirë interesa përrallore për paratë e tyre, sikur të ishte magji – ishte pronar i një ekipi të kategorisë së parë, KS Lushnja, e cila luante në qytetin e Lushnjës, rreth 80 kilometra larg Tiranës, kryqeqytetit të Shqipërisë. Për të rritur imazhin e klubit, Pëllumbi ftoi një menaxher, Maurizio Montali dhe i kërkoi që t’i propozonte katër apo pesë emra trajnerësh të huaj. Asnjëherë më parë nuk kishte ndodhur që një klub shqiptar të kishte trajnerë të huaj. Ai i propozoi opsione të ndryshme, mes të cilave edhe timen. Pëllumbi më zgjodhi menjëherë, i emocionuar që mund të bashkëpunonte me idhullin e tij te Argjentina e Botërorit 1978. Siç më treguan kur shkova atje, ky tipi më adhuronte.

Kempes sapo ka mberritur ne Rinas

Udhëtova me vëllain tim, Hugon, i cili më shoqëroi si përgatitës atletik. Fillimisht u vendosëm në një hotel në Tiranë dhe të nesërmen udhëtuam drejt Lushnjës në një Mercedes Benz luksoz që drejtohej nga një djalosh shumë i ri me të cilin komunikonim në një italishte fillestarësh. Shumë shqiptarë flasin pak italisht për shkak të afërsisë gjeografike të dy vendeve. Për të përshkruar 80 kilometrat na u desh të bënim rreth dy orë udhëtim, për shkak të gjendje shumë të keqe të rrugëve, të mbushura me pellgje uji, praktikisht të shkatërruara, në të cilat ndeshëm shpesh barinj me tufa me dele apo lopë, si dhe karroca të tërhequra nga gomerë.

Sapo mbërritëm, në stadiumin e quajtur Abdurrahman Roza Haxhiu, surpriza e parë ishte se pashë tribunat e mbushura me njerëz. Dy apo tre mijë njerëz ishin mbledhur për të parë stërvitjen e parë. Në këtë moment me shpjeguan se në Shqipëri kishte një lloj “virusi” nga skemat finaciare për shkak të interesave të larta. Të gjithë jetonin me të ardhurat nga interesat dhe asnjë nuk punonte. Entuziazmi nga fitimet e siguruara lehtësisht kishte shtyrë shumë familje të bënin budallallëkun që të shisnin shtëpitë e tyre dhe të hidhnin të gjitha paratë që kishin në këto lloj skemash pa u menduar, pasi premtonin fitime astronomike. Rrugët dhe lokalet ishin gjithmonë të mbushura me njerëz që rrinin kot. Me kaq shumë kohë të lirë, shumë prej tyre përfitonin nga çdo lloj mundësie për t’u argëtuar, për shembull, të shkonin të shihnin stërvitjen e parë të trajnerit të ri argjentinas…”.

Kempes ne stadiumin e Lushnjes

“Me Hugon (vëllai), filluam të punonim me vrull për të përgatitur një ekip i cili duhej të përballej me klubin e Teutës së Durrësit për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Erdhi dita e ndeshjes dhe Pëllumb Xhaferri – i cili shoqërohej gjithmonë nga pesë apo gjashtë truproje gjigandë dhe një e dashur tërheqëse greke që e mbante nga krahu – hyri në dhomat e zhveshjeve për të dëgjuar analizën teknike. Në këtë rast, ai hyri pa vajzën përkrah, por duke pirë një puro. I bëra me shenjë që të hiqte cigaren. Nuk i pëlqeu kjo gjë, por u bind. Pas pak, m’u afrua me një përkthyes dhe më kërkoi që të mos aktivizoja portierin dhe qendërsulmuesin.

– Përse?

-Pasi të dy kanë lindur në Durrës.

-Edhe?

-Zoti Xhaferri nuk u zë besë, mendon se mund të kenë marrë ryshfet – vazhdoi përkthyesi.

-Thuaji zotit Xhaferri që ekipin e bëj unë. Nëse nuk i pëlqen si e bëj, të më paguajë atë që ramë dakord dhe që nesër në mëngjez zhdukem nga këtu.

Përkthyesi u zbardh i tëri nga frika.

-Përkthe! – e urdhërova.

Përkthyesi po dridhej. Pëllumbi po na shihte duke u munduar të kuptonte atë që po ndodhte.

-Tregoji atë që sapo të thashë – insistova.

Pëllumbi e pa në sy përkthyesin dhe i kërkoi që të bënte detyrën që i ishte caktuar. Përkthyesi, duke belbëzuar, i transmetoi fjalët e mia, mendoj me këmbët që i dridheshin. Pasi dëgjoi pozicionin tim, presidenti më nguli një vështrim të akullt, por pa dhënë asnjë shenjë, asnjë reagim. Pas pak sekondash, u qetësua dhe i la të kuptonte përkthyesit që pranonte vendimet e mia. Si përfundoi ndeshja? Fituam 1-0 me golin e sulmuesit dhe me një paraqitje të shkëlqyer të portierit që priti gjithçka.

Një natë më vonë, Pëllumbi na ftoi mua dhe Hugon të darkonim në një piceri shumë të bukur në qendër të Tiranës. Hëngrëm darke praktikisht pa folur, thuajse vetëm duke shkëmbyer ndonjë gjest. Pranë fundit, hyri një person në restorant dhe na u drejtua. Kur ishte vetëm dy hapa larg, tre truproje u çuan nga karriget e tyre, e mbërthyen atë dhe e përplasën në tokë. Ata mendonin se ishte ndonjë person që dëshirone të sulmonte Pëllumbin, por në fakt ishte një turist spanjoll i cili më kishte njohur që nga jashtë lokalit dhe kishte hyrë për të më kërkuar një autograf. Ai doli nga piceria me autografin tim në një pecetë tavoline dhe me disa të nxira në trup.

Të shtunën e javës pasardhëse, udhëtuam drejt Durrësit, për të luajtur ndeshjen e kthimit kundër Teutës. Para se të dilnim në fushë, Pëllumbi u premtoi një premio prej 1 mijë dollarësh çdo lojtari dhe anëtari të stafit teknik nëse kualifikoheshim në gjysmëfinale. Barazuam, zero me zero dhe u klasifikuam për t’u përballur me Partizanin”.

“Përtej sukseseve sportive, situata u komplikua për shkak të faktorëve të tjerë. Të dielën dolëm me Hugon për shëtitje në qendër të kryeqytetit, pranë zonës ku kishte restorante dhe një panair. Që në fillim kuptohej se qyteti ‘zhurmonte’. U ulëm në një lokal para një sheshi për të pirë një birrë. Nga ana tjetër e rrugës filloi të mblidhej një numër i madh njerëzish, përpara një tribune ku fliste një i ri me megafon. Pas pak aty mbërritën shumë makina policie dhe dy që kishin top uji, duke bërë që turma të shpërndahej shpejt.

“Çfarë të bëjmë, nga të shkojmë?”, pyetëm veten unë dhë vëllai im. U çuam dhe filluam të ecnim me shpejtësi drejt hotelit, që ishte goxha larg. Pas nesh, qindra persona po i largoheshin dhunës policore. Në mes të rrëmujës, menduam që të gjenim strehë në një restorant. Hymë dhe u ulëm në tavolinë. E gjithë salla ishte e boshatisur.

Pas pak, u shfaq një nga truprojat e presidentit të klubit. Ne nuk po kuptonim asgjë. Djaloshi trupmadh na ngjiti një kat më lart dhe në italisht na urdhëroi: ‘Ju do të qëndroni këtu, mos dilni derisa të kthehem unë. Kërkoni për të ngerënë, se është gjithçka e paguar’. Pronari i lokalit u zhduk menjëherë pas porosisë. Nga dritarja e ndërtesës, unë dhe Hugo shihnim shumë persona që vraponin të ndjekur nga personat me uniformë. Disa minuta më vonë, një kamarier na solli porosinë dhe ndërsa prisnim për të ngrënë, u shfaq Pëllumb Xhaferri.

– Çfarë dreqin po ndodh këtu? – i thashë shumë i çuditur Hugos.

– Ky po na gjurmon nga pas – ishte konkluzioni i tij i menjëhershëm.

Pëllumbi i tha diçka të njëjtit truprojë që na kishte sjellë në këtë vend dhe ai na përktheu në italisht:

– Unë di gjithçka që ndodh këtu dhe çdo gjë që bëni ju.

Dreqi ta marrë! Situata po bëhej gjithnjë e më e rëndë. Hëngrëm drekë me të dhe pastaj na dërguan në hotel. Aty, duke bashkëbiseduar me një punonjës hoteli, mësuam se financierët që kishin mbledhur paratë e njerëzve me buzëqeshje dhe premtime interesash gjithnjë e më të mëdha, ishin arratisur bashkë me paratë, gjë që kishte sjellë në të gjithë vendin një sërë protestash nga njerëzit që kërkonin kthimin e parave të tyre. Ata kishin filluar të armatosën dhe kur u bë e qartë se gjithçka të çonte drejt konkluzionit se do të kishte një luftë civile, vendosëm të arratiseshim nga Shqipëria.

Me Hugon bëmë valixhet gati dhe me shpejtësi u nisëm drejt aeroportit. Atje gjetëm radhë, siguruam dy biletat e fundit për të udhëtuardrejt Romës me një fluturim të Alitalia, pak minuta para se të nisej avioni. Hodhëm valixhet te vendi i tyre dhe vrapuam drejt sallës së nisjeve. Terminali ishte i mbushur me ushtarë dhe kalimi në zyrën e Emigrimit më bëri të kujtoja filmin “Ekspresi i Mesnatës”. Agjentët shihnin pasaportat me shumë kujdes, duke kërkuar kush dreqin e di se çfarë. Për fat të mirë, ia dolëm të largoheshim para se të shpërthente një revolucion i cili përmbysi qeverinë dhe çoi shtetin shumë pranë zhdukjes.

Thuajse një muaj pas mbërritjes, po udhëtonim për t’u kthyer në shtëpi,. Nuk ia arritëm të fillonim ndeshjet e kampionatit, as të luanim gjysmëfinalet e Kupës, as të merrnim njëmijë dollarët që na kishte premtuar Pëllumb Xhaferri se eliminuam Teutën. Të paktën unë kisha arritur të merrja një parapagim të kontratës time. Vëllai im, asnjë cent. Disa muaj më vonë, lexuam në lajme se Pëllumb dhe Rrapush Xhaferri ishin arrestuar dhe dënuar për mashtrim. Në të cilin kishim përfunduar edhe ne…” /VipSport/
Shtuar më 16/11/2017, ora 15:46

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori