Kampionët fitojnë dhe ruajnë kreun
Pëlqej
Pas fitores së Teutës përballë Vllaznisë kundërpërgjigjet edhe Skënderbeu që mund me vështirësi në stadiumin e tij Laçin. Sfida e orës 17.00 u mbyll në shifrat 2-1 në favor të kampionëve në fuqi falë dy golave të pjesës së parë me autorë: Arapi dhe Dimo.

Pjesa e dytë nis krejt ndryshe për lacianët, që hidhen me forca të shuma në sulm, duke i detyruar kuqebardhët të tërhiqen në gjysmëfushën e tyre. Si rezultat i këtij presioni del në dritë edhe goli i parë për Lacin, që ka për autor kapitenin Erjon Vucaj. Shkodrani i bardhezinjve godet bukur nga distanca, duke e mposhtur portierin Shehi. Hapet praktikisht ndeshja, edhe për faktin se loja e kurbinasve në vijim është e bukur, me qarkullim të dendur topi dhe me pasime të shkurtra e të sakta. Kjo ia ngushton disi fushëveprimin skuadrës së Josës, që duhet të përveshë mëngët për të mos pësuar sërish dhe mbajtur të paprekur epërsinë. Kampionët, duke parë se mesfuha e tyre nuk po funksionon, kanë nevojë për kapitenin Shkëmbi, i cili nuk mund të qëndrojë më në stol, por hidhet në fushë në mesin e pjesës së dytë. Ky moment pasohet me një tjetër “goditje” që merr Skënderbeu. Në minutën e 73-të, Sabien Lilaj merr kartonin e dytë të verdhë dhe kësisoji të kuqin, duke i lënë kuqebardhët me një lojtar më pak në fushën e blertë.

Vucaj dhe Brkiç tentojnë me të gjitha mënyrat për të shënuar golin e barazimit, por "gardiani" korçar tregon aftësitë e veta, duke evituar golin e dytë.

Juglindorët marrin kësisoji tri pikë të cmuara, por mjaft të vuajtura nga reagimi i fuqishëm i miqve në 45 minutat e dyta, duke ruajtur kreun dhe mos lejuar durrsakët të shkëputen prej tyre. /albeu.com/

SKËNDERBEU-LAÇI 2-1
Golat: Arapi 6';, Dimo 24'; / Vucaj 50'
Shtuar më 06/10/2013, ora 21:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori