Kategoria Superiore "nxeh" mesjavën
Pëlqej
Kategoria Superiore zbret menjëherë në fushë këtë të mërkurë me tri ndeshje të javës së tretë, për të vijuar rrugëtimin e gjatë me 4 faza, ku në total secila skuadër do të zhvillojë 36 ndeshje. Në orën 16:00, do të nisin njëkohësisht dy takime, Laçi–Kukësi dhe Elbasani–Teuta, ndërsa 3 orë më pas, në qytetin e Vlorës Flamurtari pret Apoloninë.

Sigurisht që sfida më e nxehtë e ditës është ajo mes kurbinasve dhe nënkampionëve të Shqipërisë, që udhëtojnë në këtë transfertë për të mos e humbur vendin e parë në renditje, pozicion që nuk e kanë shijuar në asnjë moment gjatë dy sezoneve të fundit në elitën e futbollit shqiptar.

Armando Cungu-Kukësi, një binon suksesi që ka shkruar një faqe të artë të historisë së futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare, por që fati këtë radhë i ka vënë përballë njëri-tjetrit. Me shkodranin në krye kurbinasit janë shumë të uritur për pikë, aq më tepër që në dy javët e para rezultat pozitiv mund të konsiderojnë vetëm barazimin në shtëpi me Partizanin, por nënkampionët e Shqipërisë i kanë shfaqur haptazi ambiciet maksimale dhe nuk kanë ndërmend të tërhiqen as përballë një Laci agresiv.

Në pritje të përurimit të "Elbasan Arena", skuadra e presidentit Arben Laze ka prenotuar stadiumin e Peqinit për të kërkuar pikët e para si pritëse përballë Teutës, që sikurse debutuesit në Superiore, nuk kanë grumbulluar asnjë pikë në dy sfidat e parë.

Në këtë përballlje të ekuilibruar është e vështirë të bësh parashikime, megjithatë pozicioni i në fund të tabelës i të dy ekipeve sugjeron një luftë të fortë sportive, ku barazimi do të konsiderohej si humbjë si për njërën palë ashtu edhe për tjetrën.



Në mbrëmje në tapetin e gjelbert zbresin "Kuqezinjtë", sigurisht jo ata që gjunjëzuan Portugalinë në Aveiro, por të besuarit e Ernest Gjokës, të cilët ndaj Apolonisë do të kërkojnë të harrojnë sa më shpejt humbjen ndoshta aksidentale me Tiranën. Në radhët e Flamurtarit nuk mund të japë kontribut i pezulluari Franc Veliu, por mungesa e kapitenit nuk mund të jetë justifik ndaj fqinjëve fierakë, që kanë marrë më shumë zemër pas triumfit minimal me Partizanin në "Loni Papuçiu". /albeu.com/
Shtuar më 10/09/2014, ora 09:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori