Kukësi kthehet tek fitorja pas humbjes me Tiranën
Pëlqej
112 diitë pasi festoi titullin e parë kampion në histori, Kukësi u kthye me fitore në “Zeqir Ymeri”. Skuadra e Milinkoviç mposhti 1-0 Kamzën, në ndeshjen që hapi edicionin e 79-të të kampionatit.

Kukësi zbriti në fushë me ndryshime nga 11-shja e ndeshjes së humbur në Superkupë, ku Rrumbullaku dhe Alijev humbën vendin në formacion, ndërsa Elis Guri luante sulmuesi i vetëm. Te Kamza plotësisht e rinovuar për këtë sezon, Plaku ishte titullar në sulm dhe mbajti menjëherë shiritin e kapitenit, ndërsa serbi Raçiç qëndroi në stol.

Miqtë e drejtuar nga Ndreu konfirmuan se do të luanin shanset e tyre, duke guxuar të sulmonin kampionët në fuqi, madje në të 17-ën kishin rastin më të mirë për shënim, me Koliçin që bëri mrekullinë përballë Fukuit. Në anën tjetër Kukësi provoi të reagonte, me manovra të ngadalëta që kontrolloheshin lehtë nga kundërshtarët, që nuk kishin forcën dhe fantazinë e nevojshme.

Momenti më i rrezikshëm për veri-lindorët kaloi nga këmbët e Elis Bakajt, që arriti të driblonte Fushtar, por goditja e tij u bllokua nga mbrojtësi. Pas tij provoi edhe Guri me kokë, me goditjen që përfundoi vetëm pak centimetra jashtë portës. Skuadrat shkuan në pushimin ndërmjet pjesëve në barazim pa gola, me Kamzën që nuk nguroi të kërkonte më tepër.

Kukësi ndryshoi në pjesën e dytë me aktivizimin e Alijev, edhe pse shanset më të mira vazhdonte ti kishte Kamza nëpërmjet kundërsulmeve të rrezikshme.Më parë Plaku dhe pas tij Memhemi nuk u koordinuan si duhet në tentativat e tyre.

Megjithatë, për të bërë diferencën në fushë nevojitej kualiteti në fazën ofensive, të cilin Kukësi e zotëron. Pasi i mohoi Bakajt një gol të sigurt, Halilaj nuk mund të bënte asgjë përballë sulmuesit nga 11-metërshi i fituar nga Alijev.

Nga pika e bardhë Bakaj lëshoi një të djathtë që nuk i la mundësi portierit të reagonte. Kamza provoi të ndryshonte diçka në lojë, duke hedhur në fushë Mustafën dhe Raçiç. Me një gol për të rikuperuar, miqtë i lejuan Kukësit më tepër hapësira në fushë dhe mund të ishin ndëshkuar nga Alijev në dy raste, me sulmuesin azer që nuk i shfrytëzoi mundësitë e krijuara, raporton SuperSport. Në fund, edhe pse me një gol me penallti dhe pa lojë spektakolare, Kukësi mori tre pikët e para të këtij sezoni, në rrugën e gjatë të mbrojtjes së titullit.
Shtuar më 09/09/2017, ora 17:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori