E FUNDIT/ Rama e refuzoi, Basha mbërrin në kohë në Presidencë, nis takimi me Metën
Kupa e Shqipërisë, luhen sfidat e raundit të dytë
Rikthehet Kupa e Shqipërisë, me ndeshjet e para eliminatore të turit të dytë kualifikues. Në tetë stadiume të vendit po zhvillohen "aktet" e para të këtij "stacioni" të garës së dytë kombëtare për nga rëndësia, ku spikat kryesfida e grupit B, Partizani-Vllaznia, dy emra të mëdhenj të futbollit shqiptar dhe që kanë provuar të fitojnë shumë trofe.

Kjo konsiderohet si finale e parakohshme e Kupës së Shqipërisë, pasi përballen me njëri-tjetrin dy emra të traditës së futbollit shqiptar. Janë 21 trofe të këtij kompeticioni të fituara pikërisht nga këto dy skuadra, që nuk e kanë luksin të tolerojnë, për vetë historinë që përfaqësojnë.

Trajneri i Partizanit, Hasan Lika, ka hedhur në fushë formacionin më të mirë, për të marrë fitoren. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Agim Canaj me kuqeblutë, duke u besuarve më të mirëve, pa kursyer asgjë në funksion të kampionatit.

Rasti e sjell, po ashtu, që të përsëriten brenda pak ditësh edhe dy ballafaqime, si në kampionat edhe në kupë. Kështu, Bylisi po sfidon Kastriotin, vetëm se këtë të mërkurë në Ballsh, cka ndodh vetëm pak ditë pas humbjes 2-1 në Krujë, ku pati shumë hije dyshimi mbi golin e Shetës. Madje, mënyra si mallakastriotët u pajtuan me humbjen në javën e 13-të të kampionatit krijon lidhje logjike, me llogari që zgjaten edhe në Kupën e Shqipërisë, gjë e cila mbetet të shikohet “me lupë” në vijimësi.

Lushnja-Tirana është një tjetër duel që rivihet "në skenë". "Roza Haxhiu" do të jetë brenda pak ditësh "mejdani" ku bardheblutë provojnë veten, në tentativë të dëshpëruar për të dalë nga kriza e thellë ku ndodhen. Nëse para katër ditësh u mundën me rezultatin 2-1, kësaj here shkojnë me trajner të ri, Gugash Maganin. Peqinasi debuton në stolin e Tiranës në këtë ndeshje kualifikuese të Kupës së Shqipërisë, një kompeticion ku bardheblutë shpresojnë të justifikojnë veten dhe të shpëtojnë sa të munden sezonin.
Nëse u hedh një sy sfidave të sotme, konstaton se më lehtë në letër e kanë Teuta, Flamurtari, Skënderbeu dhe Kukësi. Kjo për faktin se luajnë kundër katër skuadrave të Kategorisë së Parë, që kanë mundur të mbërrijnë deri në këtë tur. Konkretisht kundër Shkumbinit, Tomorit, Mamurrasit dhe Apolonisë.

Kujtojmë se ndeshjet e para luhen sot, më 4 dhjetor, ndërsa ato të kthimit më 18 dhjetor, me sistemin vajtje-ardhje.

Shtuar më 04/12/2013, ora 15:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori