Ndreu nuk "fluturon" me fitoren, vazhdon të insistojë se Kamza lufton për mbijetesë
Pëlqej
Kamza mposhti në ‘Zeqir Ymeri’, Kukësin me rezultatin 1-0 dhe duke treguar se është aty, në garë për një vend në Europë, pavarësisht se trajneri Ndreu kërkon të shmangë euforinë në ekip.

“Pavarësisht mungesave, edhe lojtarët që kemi afruar, ofrojnë cilësi dhe garanci. Donim të mos humbnim në këtë sfidë, por duke dhënë maksimumin, arritëm të marrim një 3-pikësh që na jep qetësi dhe besim për të garantuar qëndrimin. Kisha kërkuar përqendrim në minutat e para, pasi Kukësi e nis vrullshëm lojën, por me kalimin e minutave, e sollëm lojën në rrjedhën që ne donim dhe shfrytëzuam hapësirat që kundërshtari na la, për të gjetur edhe golin e fitores”, u shpreh Ndreu.

Si një njohës i mirë i kundërshtarit të sotëm, Ndreu e kishte përgatitur mirë takimin e sotëm, duke bllokuar lojën e vendasve dhe shfrytëzuar shpejtësinë e Plakut për të dalë në sulm.

“Natyrisht që e prisnim këtë mënyrë loje dhe u munduam të bllokojmë topat e dyta, veçanërisht në drejtim të Gurit. Edhe Raçiç për këtë arsye e nisi nga stoli, pasi donim të dilnim me lojtarë të shpejtë në sulm”, tha trajneri i Kamzës./albeu.com/
Shtuar më 10/02/2018, ora 16:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori