Një Flamurtar "lab", Skënderbeu kërkon të thyejë tabunë
Java e dytë e kampionatit kombëtar të futbollit në Kategorinë Superiore do të vazhdojë sot me ndeshjet e mbetura. Ndeshjet që spikasin më shumë janë Flamurtari-Skënderbeu dhe Tirana-Lushnja. Në Vlorë zbresin në fushë inatet e vjetra mes dy ekipeve që kanë mbajtur gjallë futbollin shqiptar në tre edicionet e fundit me rivalitetin e fortë në fushë dhe jashtë saj.

Skënderbeu arriti që të shpallej plot tre herë radhazi fitues i kampionatit kombëtar, por në tre edicionet që u shpall kampion nuk arriti që të fitonte kurrë në Vlorë duke e çuar numrin e viteve në 37 që ky ekip nuk fiton në qytetin bregdetar.

Ndryshe nga edicionet e para, këtë herë Vlorë nuk ka në fushë disa nga futbollistët më të spikatur të kampionatit, por kjo nuk ia zbeh aspak shijen derbit, pasi Flamurtari është ndërtuar me labë, ç’ka e rrit akoma më shumë dozën e grindës në fushë duke premtuar akoma më shumë spektakël.

Në prag të ndeshjes kapiteni i Skënderbeut shprehet optimist për një rezultat pozitiv, por me rëndësi pritet zbritja në fushë e Muzakës që ka luajtur me të dy ekipet. /albeu.com/
Shtuar më 15/09/2013, ora 12:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori