Nuk kanë fund hallet për Partizanin, pa trajner kundër Skënderbeut
Kartoni i kuq i marrë në fitoren ndaj Kukësit i kushton Partizanit dhe trajnerit Sulejman Starova. Drejtuesi i stolit të kuq është dënuar me dy ndeshje pezullim, duke bërë që ai të mungojë në supersfidën e javës së 12-të përballë Skënderbeut.Sipas vendimit të argumentuar të Komisionit të Disiplinës, dënimi lidhet me protestat me fjalë ofenduese ndaj zyrtarit të ndeshjes dhe Starovës do t’i ndalohet qëndrimi në stolin e rezervave, dhomat e zhveshjes dhe territorin përreth fushës.

Trajneri do të detyrohet që duelin me kryesuesit e Kategorisë Superiore ta shohë nga tribuna, ndërsa në fushë skuadra do të drejtohet nga krahu i tij i djathtë, Klevis Dalipi. Një humbje jo e vogël kjo për Partizanin, me skuadrën që gjithsesi e ka të qartë se suksesi përballë Skënderbeut do ti ndihmonte të kthenin sezonin në binarët e duhur dhe do të shërbënte për të rihapur kampionatin.

Sipas rregullores, prej dënimit me dy ndeshje nga aktiviteti, Starova mund të mungojë edhe në ndeshjen e Kupës me Pogradecin, vetëm nëse klubi zgjedh opsionin që pas shlyerjes së gjysmës së pezullimit, pjesa e mbetur të konvertohet në gjobë financiare. /albeu.com/

Shtuar më 23/11/2017, ora 17:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori