Prezantohet Vila: Te Partizani për tu shpallur kampion (FOTO LAJM)

Pëlqej
Emiljano Vila është zyrtarisht futbollist i Partizanit. Mesfushori i kombëtares kuqezi ka arritur akordin me “demat” dhe do të jetë pjesë e tyre në sezonin e ri futbollistik. Në kohën kur pritej te Kukësi, presidenti i të cilit thuhej se i kishte afruar 80 mijë euro, futbollisti durrsak ka bërë zgjedhjen e tij, duke iu bashkuar 15 herë kampionëve të vendit.

Gjatë konferences për shtyp, të organizuar me këtë rast për mediat, ku të pranishëm kanë qenë edhe mjaft tifozë, presidenti Gaz Demi i ka dorëzuar mesfushorit 26-vjeçar fanellën me numër 88-të, ndërkohë që më pas Vila ka nënshkruar edhe kontratën me të kuqtë. Duke shprehur ndjesitë e tij me këtë rast, Emiljano Vila e ka vlerësuar shumë këtë hap në karrierën e tij profesionale.

"Vij te Partizani për të fituar titullin kampion, kjo është e qartë dhe e them me gojën plot. Jam mjaft entuziast për aventurën time të re tek të kuqtë, një skuadër me mjaft emër e histori në futbollin shqiptar, që po bën gjithcka në kërkim të lavdisë së dikurshme. Së bashku me shokët e skuadrës besoj se do të bëjmë më të mirën për ta rikthyer Partizanin te trofetë. Zgjodha fanellën me numrin 88 pasi ajo me numrin 11 i përket Nderim Nexhipit, një lojtar që e vlerësoj mjaft dhe është kënaqësi ta kesh në skuadër. Fakti që disa lojtarë të ekipit përfaqësues janë rikthyer në kampionatin shqiptar tregon qartë se këtë sezon Kategoria Superiore do të ketë një rivalitet mjaft të madh. Bashkë me tifozët e zjarrtë të Partizanit na pret përpara një sezon emocionues, në fund të të cilit duhet të shpallemi kampionë", u shpreh mes të tjerash mesfushori i kombëtares, që do t’i bashkohet menjëherë Partizanit në stërvitjet që po kryen në Bullgari. /albeu.com/

Shtuar më 05/08/2014, ora 11:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori