Refik Halili: Me fitimin e Superkupës do i rikthehemi elitës
Pëlqej
Sezoni i Tiranës nisi zyrtarisht me prezantimin e uniformave të reja. Dezajn i dedikuar për klubin më të titulluar në vend, për atë që presidenti i bardhebluve Refik Halili shpreson se do të shërbejë si orug i mirë për vazhdimin e edicionit.

Refik Halili

Me Macronin kemi pasur marrëveshje edhe gjatë sezonit të kaluar, ky është sezoni i dytë. Jemi shumë të kënaqur me bashkëpunimin. Është bërë një dizenjo, ku kompania është përkushtuar shumë së bashku me klubin. Themi që kemi bërë një punë shumë të mirë me të gjithë uniformat e këtij sezoni. Mbase ky është një ogur i mbarë për sezonin që nis sot me prezantimin e uniformave.

Synimi është që sezoni të nisë menjëherë me trofe. Këtë të mërkurë, në orën 19:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”, Tirana do të sfidojë kampioinët e Kukësit, në finalen e Superkupës së Shqipërisë. Trofe të cilin bardheblutë e kanë fituar dhjetë herë.

Refik Halili

Ne do ta vlerësojmë ndeshjen, trajneri dhe stafi kanë kohë që përgatiten për finalen e Superkupës dhe për sezonin në vazhdim. Fakti është që blerjet e reja nuk janë në formë optimale. Lojtari nga Kongo vjen vetëm të martën, ndërsa një tjetër lojtar është afruar vetëm përpara dy ditëve dhe ndoshta kanë nevojë për pak kohë për të gjetur formën më të mirë. Pjesa tjetër e ekipit është e gjitha. Të mërkurën do ta vlerësojmë që trofe të jetë i yni.

Presidenti Halili flet edhe për objektivat e sezonit të ri, ku klubi nuk duhet ta diskutojnë rikthimin e mënjehërshëm në elitë, ndërsa vlerëson merkaton e transferimeve, si më të mirën në historinë e klubit.

Refik Halili

Emri i klubit Tirana është një emër i madh dhe përgjegjësia është shumë e madhe. Në veçanti dhe direkt ajo bie mbi mua. Nuk dua të merrem me të kaluarën, por jemi të përqendruar të bëjmë më të mirën. Sa më shpejt të marrim rezultate të padiskutueshme, për tu kthyer aty ky i takon klubit tonë, pra të ngjitemi menjëherë në Superiore. Mendoj që kemi bërë merkaton më të mirë të të gjithë sezoneve në krahasim me të kaluarën. Them se kemi goditur në shenjë, raporton Supersport.

Pas konfirmimeve të rëndësishme, por edhe afrimeve të shumta në skuadrën e Ze Marias, presidenti e cilëson të mbyllur merkaton e Tiranës.

Refik Halili

Merkato është e mbyllur 100 për qind. Në muajin Janar do të shohim më pas nëse stafi ose klubi do të kenë nevojë për elementë të tjerë. Mbështetja nuk do të rreshtë asnjëherë për të plotësuar dëshirat, kërkesat për të arritur objektivin dhe për të kënaqur, tifozët, stafin dhe synimet e klubit të Tiranës.
Shtuar më 05/09/2017, ora 12:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori