Shtrydhja e Superligës, ndeshjet e dy javëve luhen në pesë ditë
Pëlqej
Dy javë kampionati në harkun e pesë ditëve. Për shkak të pauzës ndërkombëtare, faza e dytë e Kategorisë Superiore do të nisë me kalendar të ngjeshur.

Java e 10-të do të luhet e ndarë mes së mërkurës së 15 nëntorit dhe të enjtes më datë 16. Sfidat e para, që do të luhen janë ato ndërmjet Luftëtarit dhe Teutës, në orën 14:00 në Gjirokastër, ndërsa paralelisht Vllaznia përballet me Lushnjën, me stadiumin e ndeshjes që do të varet në varësi të gjendjes së “Loro Boriçit”.

Mbrëmjen e së mërkurës, në Vlorë do të zhvillohet supersfida e javës ndërmjet Flamurtarit dhe Skënderbeut, me vlonjatët që synojnë të rihapin luftën për titull dhe të kandidohen si pretendentë seriozë në garë.

Të enjten do të luhen dy ndeshje në orën 14:00. Partizani me Sulejman Starovën në stol, do të kërkojë të kthehet te ecuria pozitive në fushën e Laçit, ndërsa Kamza, “Hirushja” e këtij sezoni, do të provojë të bëjë surprizën në shtëpi edhe përballë Kukësit kampion në fuqi.

E premtja do të jetë dita e vetme e pushimit, me sfidat e kampionatit që do të rinisin të shtunën. Dueli i 18 nëntorit ndërmjet Lushnjës dhe Flamurtarit do të hapë javën e 11-të të Superiores. Tre takime të tjera do të luhen ditën e diel. Në orën 14:00 Luftëtari ndeshet me Laçin, ndërsa në mbrëmje Skënderbeu pret Kamzën në Korçë dhe Teuta ndeshet me Vllazninë në Durrës.

Java mbyllet me supersfidën në “Zeqir Ymeri”, aty ku të hënën Kukësi do të presë Partizanin, në një duel tejet të rëndësishëm për vazhdimësinë e sezonit për të dyja skuadrat, që edicionin e kaluar rivalizuan deri në fund për titullin. /Albeu.com/
Shtuar më 08/11/2017, ora 17:52
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori