Skëndërbeu mposht Kukësin
Pëlqej
Kjo është kundërpërgjigja e Skënderbeut pas dy ndeshjeve radhazi ku ka marrë vetëm një pikë, duke mposhtur pastër 2-0 Kukësin.

Një fitore ndaj rivales direkte për titull është ilaci më i mirë për të shkelmuar krizën e rezultateve. Kjo është kundërpërgjigja e Skënderbeut pas dy ndeshjeve radhazi ku ka marrë vetëm një pikë, duke mposhtur pastër 2-0 Kukësin. Në një stadium jo të mbushur në pritshmëritë e tij, u përballën kampionët me nënkampionët e dy sezoneve të fundit. Josa i beson Sefës dhe Peter në sulm ndërsa nuk mungon në rolin e ishit edhe Progni. Ndërkohë Shaqiri duhet të bëjë pa Pejic të dëmtuar duke hedhur për herë të parë si titullar brazilianin Jeferson. Sfida nis menjëherë me rast, Lushtaku provon me kokë në minutën e 3 por Shehi reagon. Në minutën e 14 është asistenti që gabon duke sinjalizuar një pozicion të parregullt për Hysën, por përsëritja e aksionit tregon se numri 11 është në pozicion të rregullt. Në një sfidë të tillë nuk ka se si të mungojë tensioni i cili duket edhe në përplasjen Dushku-Sefa. Me statusin e një ishi, Progni kërkon të lërë gjurmë me dy tentativa nga distanca në minutat 17 dhe 30 por porta është shumë larg finalizimit. Në minutën e 33 Kukësi fiton goditjen e parë nga këndi dhe Lushtaku me krosimin e tij bëhet i rrezikshëm, duke fituar një të dytë. Nga zhvillimet e aksionit vjen një prekje me dorë jashtë zonës e Berishës që i jep mundësinë Lushtakut të provojë sërish portën e Shehit. Më pas sfida nervozohet me Shkëmbin në fillim dhe më pas Peter ndëshkohen me kartonin e verdhë. Pjesa e parë mbyllet me dy raste të mira për secilin ekip në harkun e pak sekondave. Berisha në fillim dhe Hysa më pas nuk arrijnë të zhbllokojnë rezultatin. Në pushim skuadrat shkojnë me rrjeta të parekura teksa kapiteni i Skënderbeut premton një lojë ndryshe për të tijët dhe gola në rikthimin në fushë.

Në të 54 vjen momenti që mund të ndryshonte rrjedhën e takimit. Vangjeli ndërhyn ndaj Lushtakut në mënyrë të gabuar brenda në zonë, por për trajnerin Jorgji faulli është jashtë zone. Të kota protestat e miqve pasi kryesori i takimit është i bindur për një goditje dënimi jashtë zone, me të cilën Lushtaku rrezikon portën e Shehit. 4 minuta më vonë është Shkëmbi që me të majtën e tij gjen trupin e Malotës. Për disa minuta sfida rrjedh e qetë me duele në mesfushë, për të ardhur në minutën e 64 kur një krosim i Vangjelit gjen të pambuluar në shtyllën e parë Sefën i cili zhbllokon supersfidën e javës së 5. Kukësi duket nervoz teksa në minutën e 76, Progni shënon golin që aq shumë e kërkoi në pjesën e parë. Një realizim që duket si një kartolinë për drejtuesit e Kukësit të cilët e lanë të largohej, duke vulosur këtë supersfidë me një supergol. Megjithatë ndeshja ka ende për të thënë pasi 7 minuta përpara fundit të kohës së rregullt është nigeriani Peter Olainka që ndëshkohet me karton të kuq për një faull në mesfushë, një ndërhyrje që do të lërë sulmuesin jashtë transfertës në Durrës ndaj Teutës. Në fund Skënderbeu feston rikthimin tek fitorja dhe njëkohësisht kreun e klasifikimit për efekt golavarazhi.

Shtuar më 19/09/2014, ora 21:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori