Starova mirënjohës për besimin e Moxhit, tregon objektivat e mbetura për Partizanin
Pëlqej
Sulejman Starova e ka të qartë që në rikthimin e shtatë në stolin e Partizanit nuk do ta ketë të lehtë. Problem në stërvitjen e parë të trajnerit ishte vonesa prej afro një ore e seancës, pasi fushat në kompleksin në Kamëz ishin të zëna. Megjithatë si një prej njohësve më të mirë i të kuqve, 61-vjeçari e di mirë se çfarë kërkohet: te legjenda duan trofe dhe ecuria larg prishmërive në fazën e parë të kampionatit duket se ka ridimensionuar objektivat. Tashmë synohet Kupa dhe ngushtimi i diferencës nga kryesuesit në Superiore.

Objektivat janë ato që dihen, por tashmë objektivi ynë konkret është Kupa e Republikës dhe pastaj të fitojmë sa më tepër pikë në këto tre faza, pasi kampionati ynë tani do të nisë, për të synuar të ngjitemi sa më lart nga kundërshtarët dhe për ta ngritur emrin e Partizanit aty ku e takon.

Trajneri foli për rikthimin në skuadër dhe për atë çfarë u ka kërkuar lojtarëve, pasi, sipas Starovës, kampionati i vërtetë i Partizanit nis tani.

Kthimi im te Partizani është një detyrim, pasi nuk isha jashtë klubit. I bëra thirrje skuadrës që ta harrojë fazën e parë, pasi kemi përpara një kampionat të ri. Me kokën të ulur edhe duke punuar, që të hyjmë si ushtarë në fushë dhe të dalim si gjeneralë, sic thoshte Loro Boriçi. Me entuziazëm dhe të bashkuar duhet ta kalojmë në mënyrë urgjente këtë situatë. Nuk ka dyshim që skuadra do të përforcohet në janar, por në harkun e këtyre tri fazave duhet të jemi të durueshëm, pasi kthesa nuk bëhet në mënyrë rrënjësore.

Marrëdhënia me drejtorin e përgjithshëm të klubit, Luciano Moggi është një tjetër temë interesante, pas kritikave të mëparshme të Starovës për përforcimet jo në nivelin e duhur gjatë meratos së verës.

Kam fjalët më të mira për Moggin, pasi kandidatura e tij isha vetëm unë. Për këtë e falënderoj, në kuptimin që ato kritikat e mia të mëparshme e kanë bërë ikonën e futbollit uitalian dhe botëror që të punojë në këtë mënyrë, që njeriu kur gabon ta kuptojë. Nuk ka gabuar vetëm ai, por është gabuar në mënyrë zinxhir. E kemi thënë që nuk jemi të kënaqur nga përforcimet, pasi skuadra e vjetshme ishte “de facto” kampione, edhe pse jo “de jure”.

Në fund edhe një mendim për Iulianon, që sipas Sulejman Starovës te Partizani ka punuar mirë, por u penalizua nga koha e shkurtër për të njohur futbollin shqiptar dhe lojtarët.

Iuliano jam i bindur që është trajner i mirë. Ka pasur një eksperiencë fantastike si lojtar në një prej skuadrave më të forta në botë. Nuk është i pari Iuliano që nuk ka rezultate, por ky është një fenomen i të gjithë trajnerëve të huaj që vijnë në Shqipëri, sepse në dy muaj nuk mjafton koha të njohin futbollin këtu, të njohin të gjithë lojtarët dhe kundërshtarët. Kjo është arsyeja që nuk kishte rezultatet e duhura, pasi skuadra është stërvitur mirë dhe ka disiplinë. /Albeu.com/
Shtuar më 07/11/2017, ora 16:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori