Superkupa: Skënderbeu-Flamurtari me 6 gjyqtarë
Pëlqej
Finalja e Superkupës së Shqipërisë ndërmjet Skënderbeut dhe Flamurtarit do të hyjë në histori si ndeshja e parë në futbollin shqiptar në të cilën do të përdoren arbitrat pas portës. Për të rritur cilësinë e gjykimit në një ndeshje të këtij niveli, për më tepër në një duel të tillë që gjithmonë është shoqëruar me polemika, FSHF ka programuar që në sfidën e të dielës në "Qemal Stafa" të mos jenë 4 por 6 gjyqtarë. Përpos skemës klasike me një arbitër kryesor, dy asistentë dhe një i katërt, tashmë në finalen Skënderbeu – Flamurtari do të kemi dhe dy gjyqtarë shtesë pas portës që janë cilësuar si gjyqtarë të linjës.

Ajo që bëhet e ditur është se këtë detyrë do ta kryejnë dy gjyqtarë kryesorë të Kategorisë Superiore, ndërsa gjyqtari i 6, apo ai që zakonisht njihet si gjyqtari i 4 i ndeshjes do të jetë një nga asistentët më të mirë të Kategorisë Superiore. Kjo risi vjen si një detyrim për rritjen e cilësisë së gjykimit, e cila shkon për shtat dhe me evolimin e Kategorisë Superiore, që këtë verë ka parë të shpërthejë me rikthime të bujshme në elitën e futbollit në vend.

Në këtë mënyrë derbi i milionave midis Skënderbeut dhe Flamurtarit merr një tjetër vlerësim, duke shtuar sytë vëzhgues të gjyqtarëve në fushë, në mënyrë që gabimet të minimizohen. Për të qëndruar tek klasa e arbitrave të Kategorisë Superiore dhe asaj të parë duhet theksuar se vijnë nga një seminar 4-ditor në qytetin e Korçës, ku janë kryer edhe testet fizike dhe teorike.

Nga data 11 deri më 15 gusht, 18 gjyqtarë kryesorë dhe 40 asistentë janë trajnuar në prag të sezonit të ri, si dhe është parë gjendja e tyre fizike me testet e kryera. /albeu.com/
Shtuar më 15/08/2014, ora 15:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori