"Teatri" në Krujë, Bylis nën hetim nga FSHF-ja
Ndeshja e shumëpërfolur e javës së 13-të të Kategorisë Superiore, mes Kastriotit dhe Bylisit, është nën hetim nga Federata Shqiptare e Futbollit. Burime të sigurta në FSHF tregojnë për "Panorama Sport" se, menjëherë pas zhurmës së mediave vizive dhe atyre të shkruara në lidhje me dyshimet mbi këtë ndeshje, Komisioni i Etikës është vënë në lëvizje.

"Anëtarët e këtij komisioni kanë kërkuar menjëherë kasetën me pamjet filmikendeshjes, por gjithashtu raportin e zyrtarëve të takimit Kastrioti-Bylisi, ku përfshihen gjyqtarët, vëzhguesit dhe delegati. Pritet që së shpejti të bëhet edhe mbledhja për ta shqyrtuar hollësisht këtë ndeshje për anomalitë që janë shfaqur", treguan dje për gazetën burime pranë FSHF-së. Ndërkohë, institucioni i futbollit nuk ka mbajtur ende një qëndrim zyrtar për ndeshjen, edhe pse pamjet filmike të golit të dytë të shënuar nga Kastrioti në portën e Bylisit bënë bujë në opinionin sportiv.


Raporti Edhe pse pamjet filmike ekzistojnë dhe nuk ka nevojë për shumë komente, i rëndësishëm për Komisionin e Etikës është raporti i zyrtarëve të ndeshjes në Krujë. Gjyqtar kryesor i takimit ka qenë Kridens Meta, me asistentë Ergin Doda dhe Emiljano Biçaku, ndërsa arbitër i katërt Edvaldo Dyrmishi, të gjithë të Kolegjiumit të Tiranës. Ndërkohë, vëzhgues i ndeshjes ishte Mëhill i Kolegjiumit të Shkodrës dhe delegat i mirënjohuri Bujar Pregja. Nga sa mësohet, raportet e tyre mbi ndeshjen tashmë janë paraqitur në FSHF, por të njëjtat burime sqarojnë se ato nuk janë të qarta për atë që ka ndodhur në 10 minutat e fundit të ndeshjes.

Në këto kushte, gjasat janë që Etika të mos mjaftohet me kaq, por të marrë në pyetje zyrtarët e ndeshjes në ditët në vijim, pikërisht për shqyrtimin me hollësi të asaj që ka ndodhur në fundin e takimit. Duket se këtë herë çështja do të zvarritet, ashtu si ka ndodhur rëndom me ndeshjet e tjera të dyshuara në të kaluarën.


Precedenti Klubet e Bylisit dhe Kastriotit kanë precedentë në lidhje me ndeshjet e dyshuara si të toleruara. Më 23 shkurt të këtij viti, Komisioni i Etikës mori për herë të parë që nga krijimi i tij një vendim, duke i dënuar të dyja klubet. "Dënim me gjobë kundrejt K.F Bylis me vlerë 1.500.000 lekë, për komplotim dhe influencim në rezultatin e ndeshjes Flamurtari- Bylisi 3-0, në kundërshtim me etikën sportive bazuar në nenin 68.1 të KDS-së", thuhej ndër të tjera në ndëshkimin për Bylisin. Nga ana tjetër, e njëjta gjë citohej edhe për Kastriotin, teksa bëhej fjalë për një ndeshje të vlefshme për Kupën e Shqipërisë ndaj Shkumbinit. Ky takim u fitua 4-2 nga krutanët, teksa është luajtur më 15 dhjetor të vitit 2012. /albeu.com/

Shtuar më 03/12/2013, ora 13:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori