Tek Lushnja kthehet buzëqeshja e dikurshme, gjithçka gati për sfidën kundër Kampionëve
Pëlqej
Lushnja bën gati festën. Rikthimi në shtëpi është shoqëruar me entuziazëm në radhët e ekipit, të cilët pretendojnë që faktorin në fushë ta kthejnë në forcë. Përballë do të kenë Kukësin, por ky fakt nuk i tremb assesi. Për të “thyer” kampionët në fuqi të vendit, ata do të kenë në krahë jo pak, por të paktën 4 mijë tifozë.

Interesimi i jashtëzakonshëm pritet të tejmbushë ato pak tribuna që do të jenë të hapura sot. Duke qenë se vetëm 60% e shkallëve do të jenë të disponueshme për tifozët, sektori i tifozëve vendas pritet të ezaurohet plotësisht. “Delegatët”, “Ultras Karbunara”, “Gjenerata Verdhejeshile” kanë ditë që janë organizuar për pjesëmarrjen me dekorin dhe koreografinë me ngjyrat tradicionale të ekipit të zemrës, raporton Panorama.

STADIUMI

Në “Roza Haxhiu” është punuar deri dje në mesditë. Kishin mbetur edhe disa detaje të fundit dhe duket se drejtuesit i kanë dhënë drejtim, që gjithçka të jetë gati për javën e 5-të të Kategorisë Superiore.

Janë instaluar kabinat e transmetimit, është montuar tuneli, si edhe ka ardhur nga kryeqyteti edhe porta rezervë. Klubi lushnjar ka raportuar detyrat e mbaruara dhe komisioni i licencimeve dje pasdite, 24 orë para kësaj ndeshjeje, ka dhënë OK-in final. Në kësi kushtesh, Lushnja-Kukësi do të luhet në fushë të re, 45 ditë pas vendosjes së tapetit.

SPAHO

Portieri Mikel Spaho shprehet optimist, ndërsa tregon edhe formën se si janë motivuar për këtë duel. “Është një sfidë e jashtëzakonshme dhe duhet patjetër rezultati. Shpresojmë ta kemi në favorin tonë sepse kemi kohë që përgatitemi për ndeshjen. E kemi kujtuar sfidën e fituar katër vjet më parë dhe kjo do të na jap më shumë kurajë për rezultatin pozitiv.

Luajmë para publikut tonë që mezi e pret këtë sfidë dhe besoj se do të marrim më të mirën”, është shprehur 35-vjeçari. Artan Bano ka luksin që në këtë duel të ketë një grup të plotë, pasi nuk ka të pezulluar dhe as të dëmtuar. Dhe gjasat janë që në fushë të zbresin titullarët që barazuan me Partizanin, me shpresën që edhe këtë herë rezultati të jetë pozitiv.

PRECEDENTËT

Vetëm dy herë ka ardhur në “Roza Haxhiu” ekipi i Kukësit dhe në të dyja rastet ka “ngecur”. Kështu, më 12 maj 2012, Lushnja priti Kukësin në javën e fundit të kampionatit të së Parës, në prani të 11 mijë shikuesve dhe barazoi pa gola.

Por është për t’u kujtuar edhe një tjetër përballje në Kategorinë Superiore këtë herë, e cila u fitua minimalisht prej verdhejeshilëve. Ata e mposhtën Kukësin në prani të 6 mijë tifozëve, duke festuar me fitore kthimin në elitë pas katër edicionesh. Ndaj, të njëjtën histori duan ta përsërisin edhe sot.
Shtuar më 12/10/2017, ora 09:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori