Tifozët kavajas: Skënderbe, na kthe borxhin!
Katër vite më parë, kur korçarët luftonin për mbijetesë në Kategorinë Superiore, arritën të fitonin në Kavajë ndaj Besës së vendit të dytë. Ajo ndeshje e shumëpërfolur kaloi me bujë të madhe, edhe për faktin se gjatë lojës presidenti Nexhat Bizhdili bashkë me ish-presidentin e klubit korçar, Agim Zeqo dhe ish-ministrin e Financave, Ridvan Bode, duartrokisnin golat e Skënderbeut.

Në këto kushte, dje shoqata e tifozëve kavajas, nëpërmjet një deklarate për shtyp ka kërkuar nga "Ujqërit e Dëborës", që t’i kthejnë borxhin Besës në ndeshjen e nesërmen në Korçë.

"Ju kemi mirëpritur, madje na keni dënuar dy herë. Të paktën ka ardhur momenti të na ktheni borxhet. Shkoni në stadium dhe përkrahni Besën, pasi Skënderbeu juaj u mund nga Tirana, Vllaznia e Flamurtari. Nuk është Besa shënjestra e ndershme për ju, aq më tepër që të dielën është festa e Pashkëve. Kjo nënkupton paqe dhe mirësi. Të festojmë së bashku", përfundon prononcimi i ultrasve verdhezinj, të kryesuar nga Agron Shtini.

Problemet - Ndeshja ndaj Skënderbeut po përgatitet me mjaft qetësi në kampin verdhezi. Ndryshe nga çdo pragsfide, këtë herë nuk ka deklarata euforike. Në seancën e djeshme stërvitore, përsëri trajneri Artan Mërgjyshi nuk u ndje komod, sepse përtej mungesës së deklaruar të Mustafës për shkak të kartonëve, tashmë edhe Fation Sefa e Erand Hoxha rrezikojnë të mos jenë të gatshëm.


Kur kanë mbetur edhe pesë javë nga mbyllja e sezonit, verdhezinjtë ndihen më të rrezikuarit pas atij barazimi ndaj Laçit në shtëpi. Në këto kushte, Besa shpreson që Kastrioti dhe Lushnja të luajnë ndershëm ndaj Vllaznisë e Flamurtarit në mënyrë që gara të jetë e hapur. /albeu.com/

Shtuar më 20/04/2014, ora 10:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori