Tirana në "udhëkryq", shtyhet privatizimi i klubit
E ardhmja e Tiranës vazhdon të mbetet e paqartë, ndonëse një muaj pas përfundimit të kampionatit pritej që gjërat të lëviznin në drejtimin e duhur. Dje ishte parashikuar të zhvillohej mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku do të përcaktohej edhe statusi i ri i donatorëve Halili dhe Morina po diçka e tillë nuk ka ndodhur. Në këto kushte skuadra bardheblu rrezikon të humbasë elementet e saj më të rëndësishëm që kanë kërkuar garanci nga drejtuesit para se të hedhin të zezën mbi të bardhë, raporton "Super-Sport".

Ilion Lika ishte i pari që u divorcua nga bardheblutë duke firmosur për Flamurtarin, ndërkohë që ka pak gjasa që prurjet e Janarit, që ishin vendimtare në sigurimin e mbijetesë, të rikthehen te 24 herë kampionët e Shqipërisë.

Donatorët bardheblu pavarësisht ngërçit institucional kanë qenë aktivë në merkato me arritjen e disa marrëveshjeve në parim me disa lojtarë të kampionatit shqiptar dhe atij kosovar, por është fakt që kryeqytetasit janë shumë prapa në ndërtimin e skuadrës krahasuar me rivalët e tjerë.

Tirana aktualisht nuk ekziston as në letër, pasi vetëm 4-5 lojtarë kanë kontratë edhe për sezonin e ardhshëm. Pasiguria për të ardhmen pritet të shoqërohet me të tjera protesta para Bashkisë nga ana e tifozëve, reagimi i të cilëve për institucionin vendor do të jetë edhe më i ashpër. /albeu.com/
Shtuar më 11/06/2014, ora 17:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori