Tirana-Partizani, derbi i numrave "9"
Pëlqej
Derbi është një ndeshje me shumë tension që ndonjëherë nuk lejon ekipet të japin më të mirën. Gjatë historisë sfida Tirana–Partizani na ka mësuar që mund të vendoset edhe nga detajet, nga ndonjë futbollist i veçuar, qoftë ky i rëndësishëm apo jo në ekipin ku aktivizohet.

Në këtë 90 minutësh me dyer të mbyllura, ata që mund të vendosin këtë derbi mund të jenë fare mirë edhe dy sulmuesit Tomislav Busic e Stevan Raçiç. Dy futbollsitë që në fushë luajnë rolin e numrit 9 por që të përbashkët kanë dhe faktin se kanë mbërritur në kryeqytet me statusin e njeriut gol. Për momentin ai që ka bindur më shumë dhe ka rezultuar deciziv për skuadrën e tij është serbi Raçiç, që ka realizuar 3 gola, fituar një penallti dhe dhënë një asist në golin e dytë ndaj Teutës.

Në një pozitë të kundërt është kroati Busiç që vjen pas 13 golave të realizuar me Vllazninë një sezon më parë, teksa premtimet për një ecuri më të mirë me fanellën bardheblu ishin të mëdha.

Për momentin bastin e ka fituar 30 vjeçari i Partizanit, që erdhi si një i panjohur në kategorinë superiore, madje shumëkush nuk besonte tek aftësitë e tij, por që në tapetin e gjelbër dhe për më tepër për klasifikimin e të kuqve ka rezultuar deçiziv. Në 5 golat e shënuar nga Partizani Raçiç ka lënë gjurmë, pasi ka shënuar tre prej tyre, ka fituar penalltinë e realizuar me gol nga Vila ndaj Skënderbeut dhe ka dhënë asist për Fazlliun ndaj Teutës.

10 pikët në klasifikim për ekipin e Duros vijnë për meritë ekskluzive të Raçiç dhe ndaj Tiranës misioni mbetet i njëjtë, gjetja e golit, qoftë ky me një realizim apo asist të tij.

Për 28 vjecarin Busiç derbi është një mundësi për ta bërë golin sërish të tijin, pasi vetëm realizimi ndaj Elbasanit është shumë pak për të, duke ditur që Tirana ka luajtur me dy kundërshtarë relativisht të lehtë, dhe tre prej 5 ndeshjeve të para i ka luajtur në shtëpi.

Edhe pse ka më pak gola të shënuar si skuadër, në profilet e numrave 9 Partizani duket i fituar, por në derbi statistikat sfumohen dhe aty mund të shkruhet një tjetër histori, si për Raçiç ashtu dhe për Busiç, që debutimin e tyre në një derbi duhet ta shoqërojnë me gol. /albeu.com/
Shtuar më 24/09/2014, ora 17:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori