Tirana-Partizani pa tifozë, Duro: E paimagjinueshme!
Pëlqej
Dy fitoret në harkun e tre ditëve kanë rikthyer qetësinë e munguar tek Partizani. 15 herë kampionët e vendit po pergatiten për sfidën ndaj Teutës, e vlefshme për javën e 5 të Kategorisë Superiore. Trajneri Shpëtim Duro vlerëson shumë fitoret ndaj Skënderbeut dhe Kukësit më shumë në aspektin psikologjik, duke shtuar që nisja e sezonit është shumë e mirë për ekipin e tij, duke përjashtuar humbjen me Apoloninë.

"Duhet të kuptohemi që ishte një fillim i mirë i sezonit në Laç. Pika e marrë atje na kënaqi por zhgënjyem në ndeshjen e luajtur ndaj Apolonisë. Luajtëm tre ndeshje në transfertë dhe këto dy fitoret e fundit janë shumë të rëndësishme për moralin e skuadrës pasi u arritën ndaj ekipeve të forta", është shprehur Duro.

Më pas një mendim shkon edhe për derbin me Tiranën, supersfidën e shumëpritur nga të dyja tifozeritë, e cila do të luhet pa praninë e tifozëve pas vendimit të komisionit të disiplinës për ngjarjet e dhunës në "Loro Boriçi" ndaj Vllaznisë.

Si një nga trajnerët më me eksperiencë Duro e sheh të papranueshëm faktin që derbi do të luhet pa tifozë pasi kjo është një nga ato sfida për të cilat mendohet që në hedhjen e shortit.

"E them sinqerisht, dënimi për tifozët e Tiranës është i merituar por të luash derbin pa tifozë është e paimagjinueshme. Ne mezi e presim atë sfidë dhe janë pikërisht tifozeritë me ngacmimet e tyre që i japin bukuri derbit", vijoi tekniku i Partizanit. /albeu.com/
Shtuar më 17/09/2014, ora 15:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori