Tirana, "peng" i Bashkisë
Pëlqej
Edhe pse është mbretëresha e merkatos së verës, Tirana nuk ka bërë ende asnjë prezantim të blerjeve të reja. Plot 13 janë futbollistët e afruar, por asnjëri prej tyre nuk është prezantuar me stilin e 24 herë kampionëve. Bulku, Curri, Bakaj, Bushic apo edhe të tjerët e afruar kanë dalë direkt në stërvitje nën urdhrat e trajnerit Gugash Magani, pa u prezantuar më parë për mediat dhe të firmosin kontratat e tyre në prani të kamerave të shumta, ashtu si në edicionet e kaluara.

E gjithë kjo vjen për një arsye të thjeshtë, pasi drejtuesit e rinj të bardhebluve ende nuk janë zyrtarizuar në krye të detyrës nga Bashkia e Tiranës e cila vijon të jetë ende pronarja e klubit më të titulluar në vend.

mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak u vendos me shumicë votash që forma e menaxhimit të klubit të ndryshojë, duke lënë për më vonë mbledhjen e cila do të zyrtarizojë aksionerët e klubit për 30 vitet e ardhshme. Në këtë mënyrë, pavarësisht se donatorët Halili, Morina dhe Nuri kanë lëvizur bindshëm në merkato duke afruar futbollsitë cilësore, por edhe duke i mundësuar ekipit një fazë përgatitore model, ende nuk janë zyrtarizuar afrimet e reja si dhe zgjatjet e kontratave të futbollistëve që mbyllën sezonin e kaluar, për shkak se nuk figurojnë si vendimarrës zyrtarë të klubit.

Kjo situatë pritet të zgjidhet javën e ardhshme, kur nga Bashkia e kryeqytetit do të vijë zyrtarisht kalimi i klubit në duart e aksionerëve të rinj, të cilët kanë programuar një prezantim madhështor për blerjet e reja.

Një prezantim të denjë për skuadrën e cila në letër është ndërtuar për të rikthyer titullin kampion që mungon tek bardheblutë që prej vitit 2009. /albeu.com/
Shtuar më 09/08/2014, ora 12:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori