U tallën me Partizanin, por Luftëtari dhe në transfertë i merr fitoren Kukësit (VIDEO)

Rezultati më i papritur i javës së 16-të të Kategorisë Superiore u shënua në sfidën e “Zeqir Ymerit”. Luftëtari i Hasan Likës vetëm një javë pasi shkatërroi 5-0 Partizanin, bën një tjetër mrekulli, këtë radhë ndaj Kukësit në transfertë.

Bluzinjtë mposhtën me rezultatin 1-2 kampionët në fuqi, që zhgënjejnë sërish përballë publikut vendas, duke u detyruar t’ia lënë vendin e dytë Flamurtarit dhe të tretin Laçit. Kristal Abazaj befasoi fillimisht portierin Enea Kolici në fund të pjesës së parë, pas një pasimi të saktë të marrë nga mesfusha. Sapo nisi fraksioni I dytë, Rroca përfitoi nga hezitimi i mbrojtjes verilindore dhe godet portën, me Kolicin që këtë radhë nuk është në lartësinë e detyrës, me topin që pasi I përplaset në duar përfundon në rrjetë.

Elis Bakaj rihap sfidën me 11-metërsh në minutën e 65-të, penallti e kontestuar nga vendasit. Lojtarët e Kukësit në minutat e fundit arritën të goditnin edhe shtyllën, por pa mundur të shmangin humbjen, që ishte e pesta në këtë sezon. Kjo disfatë i zhvendos kampionët në fuqi në vend të pestë. /albeu.com/




Shtuar më 22/12/2017, ora 15:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori